Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosovares i lejohet qëndrimi në Zvicër edhe pse për 6 vjet nuk mësoi gjermanisht

Një grua 30-vjeçare nga Kosova është lejuar të qëndrojë në Zvicër, edhe pse ajo për 6 vjet nuk kishte qenë në gjendje të dëshmonte tek autoritetet kantonale të migracionit se ka njohuri të mjaftueshme në gjuhën gjermane.

Autoritetet e migracionit në Aargau dhe gjykata kantonale kishin vendosur të mos ia zgjasnin lejeqëndrimin.

Por Gjykata Federale e Zvicrës ka hedhur poshtë vendimin e këtyre dyjave, duke ia mundësuar qëndrimin kosovares, raporton “Zofinger Tagblatt”.

Kosovarja ishte martuar në qershor të vitit 2015 me një bashkëkombas, që kishte lejeqëndrim në Zvicër. Atëbotë 24-vjeçare erdhi në Aargau në dhjetor të vitit 2015 për bashkim familjar.

Pas kësaj ishte ftuar në një intervistë në Zyrën kantonale të migraconit dhe i ishte thënë se sa me rëndësi është ta mësojë gjuhën gjermane.

Edhe Gjykata në Zvicër nuk beson në dashurinë mes kosovarit 35-vjeçar dhe zviceranes 70-vjeçare Kronikë Gjykata në Zvicër nuk beson në dashurinë mes kosovarit 35-vjeçar dhe zviceranes 70-vjeçare

Ajo kishte siguruar me nënshkrimin e saj se do të dorëzonte dëshmi për njohjen e gjuhës gjermane në nivelin A1. Tri ditë më vonë, kosovarja mori lejeqëndrimin në Zvicër nga Zyra kantonale e migracionit. Por, ajo nuk iu përmbajt premtimit për t’i dorëzuar provat se zotëron njohuri të mjaftueshme në gjuhën gjermane.

Zyra kantonale e migracionit sërish kishte lidhur një marrëveshje integrimi me kosovaren, në të cilën ajo sërish mori përsipër të dorëzonte certifikatën e gjuhës. Por, nuk e përmbushi këtë detyrim edhe dy vjet pas arritjes së saj. Zyra e migracionit i zgjati asaj lejeqëndrimin në dhjetor të vitit 2017 e po ashtu edhe në fund të qershorit të vitit 2018, por vendosi që për zgjatje të mëtejshme duhet të disponohej dëshmia se ka njohur në gjuhën gjermane.

Por, edhe ky afat kaloi pa u dorëzuar dokumenti, dhe në tetor të vitit 2019, Zyra e migracionit vendosi të mos ia vazhdojë lejeqëndrimin kosovares. U vendos që gruaja të dëbohej nga Zvicra dhe u caktua një afat për t’u larguar prej 60 ditëve. Mirëpo, ajo nuk u pajtua me vendimin dhe e apeloi këtë.

Gjatë procedurës së apelit, zyra sërish i dha mundësi kosovares ta dorëzonte certifikatën se ka njohuri në gjuhën gjermane. Por, kosovarja e lëshoi edhe këtë mundësi në fillim të majit të vitit 2020.

Zyra e migracionit hodhi poshtë ankesën e saj dhe po ashtu edhe Gjykata më e lartë e kantonit të Aargaut miratoi vendimin e Zyrës së migracionit për ta dëbuar kosovaren 30-vjeçare. Vendimin Gjykata e mori në nëntor të vitit 2020.

Mirëpo, kosovarja bëri një apel në Gjykatën federale dhe ajo përmbysi vendimin e Gjykatës kantonale.

Gjyqtarët më të lartë zviceranë vendosën se duhet zgjatur lejeqëndrimi për kosovaren. Ndonëse nga Gjykata Federale u tha se kosovarja nuk kishte paraqitur asnjë dëshmi se posedon njohuri të gjuhës gjermane, tërheqja e lejeqëndrimit është konsideruar joproporcionale.

Edhe Familja kosovare duhet të largohet nga Zvicra, akuzohet se mori mbi 600 mijë franga ndihmë sociale Kronikë Familja kosovare duhet të largohet nga Zvicra, akuzohet se mori mbi 600 mijë franga ndihmë sociale

U tha se duhet merret në konsideratë se ajo jeton në Aargau me bashkëshortin dhe djalin 4-vjeçar dhe se dëbimi mund të çonte te një ndarje familjare.

Por nga gjykata është parë si një mungesë bashkëpunimi nga kosovarja për faktin se nuk ka dorëzuar prej vitesh një dokument për njohuri të gjuhës.

“Edhe përkundër se po kërcënohej me një dëbim të menjëhershëm, ajo nuk bëri asnjë përpjekje për të mësuar gjërat bazike në gjuhën gjermane, tregon për njëfarë mosinteresimi për t’u përshtatur dhe integruar”, thuhet nga gjykata. “Në përgjithësi, ajo nuk është as gjuhësisht, as shoqërisht e as në aspektin kulturor e integruar”.

Është thënë se për faktin se nuk e njeh gjuhën, burri i saj është dashur ta shoqërojë nëpër viza mjekësore.

Gjykata kishte thënë se për të do të ishte e përshtatshme të kthehej në Kosovë, pasi flet shqip dhe ka gjashtë vjet që jeton në Zvicër. Po ashtu bashkëshorti i saj po kujdesej në aspektin financiar.

Por, për bashkëshortin e saj që jeton në Zvicër nga viti 2004, dhe se për dhjetë vjet është i punësuar tek i njëjti punëdhënës gjërat janë ndryshe.

Është thënë nga gjykata se për të largimi nga Zvicra do të shoqërohej me vështirësi të konsiderueshme profesionale dhe se do të kishte efekte serioze në jetën e tij private. Për këtë u tha se nuk mund të pritej një kthim i shpejt në Kosovë nga ai.

Edhe Zvicra heq vizat për kosovarët Arbëri Zvicra heq vizat për kosovarët

Po ashtu gjykata tha se mund të pritej që burri të mos e ndiqte gruan në Kosovë e do të kishte pasoja negative për djalin e tyre. Dhe se kjo do të bënte që djali të rritej pa njërin prind.

Gjykata Federale mori vendim të mos dëbohet kosovarja por lëshoi një paralajmërim se ajo duhet menjëherë të bëjë përpjekje më të mëdha për t’u integruar.