Samiti i shumëpërfolur për Demokraci, nikoqir i të cilit janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka nisur këtë të enjte.
Kosova në këtë samit u prezantua nga presidentja Vjosa Osmani.
Ajo përmes një video-adresimi u zotua se do t’i bashkohen SHBA-së në kundërshtimin e ndërhyrjes dhe propagandës ruse e promovimin e paqes në botë.
“Ne do të forcojmë sundimin e ligjit përmes zbatimit të plotë të Strategjisë Kombëtare për Sundim të Ligjit, dhe një procesi të vetingut, i cili do t`i rrënjosë integritetin, paanshmërinë dhe profesionalizmin në zemër të sistemit tonë të drejtësisë. Ne zotohemi për miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të avancuar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, vendosjen e ndalimit të udhëtimit për individët e huaj të përfshirë në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, ndalimin e financimit të qeverive të huaja për partitë politike dhe ndalimin e institucioneve publike që të përdorin teknologji të vëzhgimit nga prodhues jo të besueshëm”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, angazhim në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit premtoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Duke u mbështetur te sukseset ekzistuese në fushën e digjitalizimit të shërbimeve publike, ne po investojmë në shërbime elektronike, me synim që të mbyllim hapësirat ende të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe për të siguruar mirëqeverisje dhe transparencë për të gjitha proceset qeverisëse”, është shprehur Rama.
Video-mesazheve të shteteve pjesëmarrëse iu parapriu një adresim i nikoqirit të takimit virtual, presidentit të SHBA-së, Joe Biden. Ai tha se demokracia është duke u përballur me sfida alarmante.
“Si komunitet global për demokracinë ne duhet të ngrihemi për vlerat që na bashkojnë, ne duhet të ngrihemi për drejtësi dhe sundim të ligjit, për liri të shprehjes, liri të tubimit, liri të medias, liri të besimit dhe për të gjitha të drejtat e njeriut”, ka thënë Bideni.
Në Samitin e Demokracisë, e i cili për shkak të përhapjes së pandemisë COVD-19 është duke u mbajtur virtualisht, pjesëmarrës janë mbi 100 vende të botës. Në mesin e tyre, fillimisht nuk ishte Kosova. Mosftesa e Kosovës nga SHBA-ja nxiti reagime të shumta, gjë që bëri që një gjë e tillë të ndryshojë.