Arbëri

Kosova vazhdon ta ftojë Greqinë për njohje, Kurti numëron arsyet

Për të shumtën herë Kosova ka kërkuar nga Greqia që t’i bashkohet shumicës së shteteve të Bashkimit Evropian për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti në adresimin në debatin e “Greek House” në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos ka numëruar arsyet pse Greqia duhet ta njohë Kosovën.

Ai ka thënë se marrëdhëniet ndërshtetërore vazhdimisht janë më të mira. Sipas tij, ka intensifikim bashkëpunimi nëpërmjet politikanëve të të dyja vendeve së fundmi. Po ashtu, ka thënë se eksportet e Kosovës për në Greqi janë rritur për 160 për qind. Kurti ka thënë po ashtu se afërsia gjeografike me Greqinë, dhe kostoja e ulët e shpenzimeve krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, e bëjnë Kosovën vend atraktiv për investime të kompanive greke.

Kurti ka shprehur besimin se Greqia mund të bëhet lidere në përshpejtimin e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Teksa dënoi sulmin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse në Ukrainë, kryeministri Kurti foli për reagimin e menjëhershëm të Republikës së Kosovës për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe ofrimin e ndihmës për Ukrainën, duke shprehur gatishmërinë për të pranuar 5000 refugjatë ukrainas dhe duke iu ofruar strehim dhe kushte pune 20 gazetarëve nga Ukraina, bëhet e ditur në një njoftim të Qeverisë të martën në mbrëmje.