Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova shpenzon rreth 26 euro në ditë për një të burgosur

Arratiset një person nga Qendra Korrektuese për të Mitur në Lipjan

Kosova për një të burgosur shpenzon 26 euro në ditë, duke mbuluar të gjitha shërbimet e nevojshme, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ali Gashi.

Sipas tij, femrave dhe të miturve në qendrën korrektuese u mundësohet shkollimi dhe punësimi, duke theksuar se mbas studimeve mund të pajisen me diploma.

“Përafërsisht Kosova për një të burgosur shpenzon 26 euro në ditë, ku përmes asaj shume mundohemi t’i përmbushim të gjitha obligimet rreth ushqimit, higjienës, akomodimit, ngrohjes. Për gratë dhe fëmijët ka trajtim të veçantë edhe fokusi ynë është asi soji të trajtohen. Ne kemi Qendrën korrektuese për femra dhe qendrën korrektuese për të mitur dhe të moshës madhore ku mundohemi t’ua përmbushim të gjitha kërkesat të cilat i kanë. Përveç që jemi përgjegjës për sigurinë e tyre, angazhohemi që personat e privuar nga liria të mitur t’iu mundësojmë shkollimin sepse kemi dy paralele në Lipjan dhe Dubravë, dhe të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret dhe ofrojnë dokumentacion fillojnë procesin mësimor. Kemi aktivitete sa i përket programeve rehabilituese, aktivitete që lidhen me punësimin dhe i pajisim me diploma të burgosurit”, ka shpjeguar Gashi.

Ai e pranon se në burgje ka kontrabandë, ku shpeshherë gjenden mjete të mprehta, telefona madje edhe drogë. Sipas tij, qëllimi kryesor është t’i minimizojnë të gjitha këto dukuri devijante.

“Është e vërtetë që ka kontrabandë në burgje, por nuk është e theksuar. Përmes përgjegjësve për siguri në qendrat korrektuese dhe qendrat të paraburgimit vazhdimisht bëhen bastisje dhe në të shumtën e rasteve bastisja ka sukses, ku kapen telefona, adapter dhe mjete të mprehta dhe ndodh të gjendet edhe sasi të vogla të drogës. Kështu që përkundër angazhimeve, janë evidente sepse personat që vuajnë nga droga, ata e gjejnë mënyrën të arrijnë deri aty. Por qëllimi ynë është t’i minimizojmë të gjitha këto dukuri devijante që për fat të keq janë në shoqëri dhe po barten në Shërbimin Korrektues të Kosovës”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se pret që në vitin 2022 të aprovohet legjislacioni nga Parlamenti i Kosovës me dy ligje, atë për sanksione penale dhe Ligjin për Shërimin Korrektues të Kosovës, duke shtuar po ashtu se janë në procedurë të rekrutimit për 50 veta staf korrektues./EO