Delawie: Vlerësojmë bashkëndjesinë e Kosovës për tragjedinë e 11 Shtatorit
“Kosova dhe Amerika janë bashkë edhe në këtë ditë dhe do të jenë gjithnjë. Lutjet tona shkojnë për familjet e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit. Falënderoj ambasadorin Delawie për nderin që na bëri sot që të jetë bashkë me ne”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi bëri homazhe në përkujtim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në ceremoninë e homazheve, të organizuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-presidentja Atifete Jahjaga, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ambasadorë tjerë të akredituar në Kosovë, ministra të kabinetit qeveritar dhe punonjës së Zyrës së Kryeministrit, të cilët nderuan viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuar të Amerikës.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se 11 shtatori ka qenë sulm mbi vlerat civilizuese, ka qenë provë për gjithë botën demokratike, për t’iu përgjigjur një fryme, e cila ka qenë çnjerëzore.
“Sot, kaq vjet pas asaj dite të rëndë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota e civilizuar ka triumfuar. Çdo ditë e më tepër po mbizotëron arsyeja dhe në të njëjtën kohë vlerat demokratike, vlerat tona civilizuese perëndimore nuk ka askush që mund t’i cenojë”, tha kryetari Veseli, duke shtuar se Kosova do të jetë së bashku me Amerikën, sepse Amerika është shpëtimtare e Kosovës dhe do të jemi bashkërisht përjetë.
Edhe
Haradinaj: Krenarë me reagimin e institucioneve të sigurisë në Amerikë
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, tha se Shtetet e Bashkuara përkujtojnë sulmet e 11 shtatorit dhe me këtë rast falënderojmë Qeverinë dhe popullin e Kosovës për partneritetin dhe mbështetjen në këtë situatë. “Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, Uashington dhe në Pensilvani, terrorizuan gjithë botën dhe populli i Kosovës gjithë kohën ka qenë me ne”, tha ambasadori Delawie.
Mbledhja e Qeverisë së Kosovës filloi sot me një minutë heshtje në kujtim të viktimave të sulmit të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova e di më së miri se ShBA na u gjend në mbrojtje.
“SHBA i kanë pri botës me shpëtimin e jetërave tona të kohërave të vështira të luftës së Kosovës dhe i ka mbrojtur popujt e botës andaj është e kuptueshme ndjenja e përkrahjes për familjeve të viktimave por edhe përkrahja e popullit të Kosovës për luftën kundër terrorizmit”, tha ai.
Qeveria unanimisht ka miratuar Propozim-vendimin për vendosjen e Memorialit të përhershëm në oborrin e Qeverisë në shenjë nderimi për jetët e humbura të tragjedisë së 11 shtatorit 2001 në SHBA, memorial i cili sipas kryeministrit Ramush Haradinaj është dëshmi e luftës kundër terrorizmit.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook ka përkujtuar në emër të Qeverisë së Kosovës 17 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në SHBA.
Edhe
Kosova e kujton sulmin terrorist të 11 shtatorit në SHBA si ditën kur bota u nda në dysh
Haradinaj ka theksuar se Kosova bashkëndjen humbjen e jetës së viktimave në këtë sulm me popullin dhe qeverinë amerikane.
Postimi i plotë i tij:
“Në 17-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës me nderim përkujton të gjithë viktimat që humbën jetët e tyre, duke bashkëndjerë me SHBA-të, popullin dhe qeverinë amerikane dhe me të gjithë ata që anembanë botës e përjetuan rëndë këtë sulm mbi lirinë dhe demokracinë. Në luftën kundër terrorit dhe në mbrojtje të jetës, ne jemi bashkë, në çdo kohë, me aleatët tanë strategjikë! Zoti e bekoftë Amerikën, Kosovën dhe dy popujt tanë!”.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka përkujtuar viktimat e 11 shtatorit në SHBA, ku sulmet terroriste morën jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm dhe shkaktuan pasoja të mëdha.
“Me 11 shtator u sulmuan vlerat e civilizimit dhe bota demokratike, ndërsa përkundër kësaj nuk arritën për asnjë moment t’i ndalin SHBA-të, për tu ringritur edhe më të fuqishme dhe më të vendosura për luftë kundër të kësaj të keqeje globale, për ta dëshmuar fuqinë dhe unitetin me mbarë botën demokratike në fuqizimin e vlerave të lirisë dhe të mirëqenies, anekënd globit”, është shprehur Mustafa.
LDK-ja thotë se u është mirënjohëse gjithmonë SHBA-ve për kontributin e madh në zhvillimin e Kosovës dhe në luftën kundër terrorizmit.
Edhe
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës nderojnë viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, në 17-vjetorin e sulmeve terroriste në SHBA, ka përkujtuar viktimat e shumta të kësaj ngjarje të rëndë që tronditi botën, duke thënë se këto sulme ndryshuan botën për të keq.
“Sot, i kujtojmë sulmet e 11 shtatorit në vendin mik, SHBA. Një ditë që ndryshoi botën për keq. Kosova sot është pjesë e luftës kundër terrorizmit. Nga më shumë se 2600 të vdekur, për fat të keq, kishte edhe viktima me origjinë shqiptare. Le t'i kujtojmë një ditë si kjo”, shkruan Pacolli në Facebook.