Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova ofron ambient të favorshëm për investime, sqaron ministri Hamza në Emirate

Ministria e Fiancave të Kosovës, përmes një komunikate për media, bën të ditur se Kosova ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e financave me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Marrëveshjen në emër të Kosovës e ka nënshkruar ministri i Fiancave, Bedri Hamza, ndërsa në emër të Emirateve homologu i tij Obaid bin Humaid Al Tayer.

Sipas njoftimit, ministri Hamza ka zhvilluar sot takimin bilateral në Abu Dhabi me ministrin e Shtetit për Çështje Financiare Obaid bin Humaid Al Tayer, me ç'rast ka nënshkruar edhe një marrëveshje të bashkëpunimit ndërmjet ministrive të financave të dy vendeve.

Gjatë takimit ministri Hamza falënderoj Emiratet e Bashkuara Arabe për ndihmën e dhënë popullit të Kosovës, që nga paslufta e deri më sot. Me këtë rast u diskutua lidhur me mundësitë që ofron Kosova për të investuar në të. Ministri Hamza e njoftoi ministrin Al Tayer për potencialin që ka Kosova si dhe ambientin ligjor shumë të favorshëm për investime.

Ministri Al Tayer përgëzoi Ministrin Hamza për punën e bërë që dëshmon se Kosova ka stabilitet makro-fiskal, borxh të ulët shtetëror, mbajtjen e një sistemi tatimor të ulët, të gjitha këto e bëjnë Kosovën një shtet të favorshëm për investime. Po ashtu delegacioni u njoftua për mundësitë e përfitimit nga projektet e ndryshme.

Dy ministrat u dakorduan për thellim të bashkëpunimit dhe shprehën gatishmërinë për organizim të vizitave të përbashkëta ekonomike.