Nëse gjithçka do të shkojë sipas planit, Kosova nga BE-ja në pjesën e parë të muajt maj do të marrë një sasi të konsiderueshme dozash të vaksinave “BioNTech-Pfizer”, nga mbi 600.000 sa do t’i dërgojë ajo për vendet e Ballkanit Perëndimor. Burimet e BE-së i kanë thënë KOHËS se po bëhen përgatitjet finale dhe se vaksinat do të vijnë nga maji deri në fund të korrikut. Ato do të paguhen nga BE-ja, ndërsa do të jenë për vaksinimin e grupeve me prioritet
Bashkimi Evropian, pas dështimit që të përmbushë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i ndihmuar në sigurimin e vaksinave në fazën e parë të vaksinimit, duket se është afër që sadopak ta kthejë besimit duke siguruar dozat e para për këto shtete në formën e donacioneve.
Deri në këtë moment asnjë dozë e vetme e vaksinave nga BE-ja si donacion nuk ka ardhur për asnjë vend të rajonit. Disa vende, si Serbia, e në një masë edhe Shqipëria, kanë siguruar sasi të konsiderueshme vaksinash vetë, pa e pritur BE-në, dhe kanë bërë vaksinimin e disa grupeve prioritare. Serbia madje edhe ia ka tejkaluar BE-së në vaksinim, pasi ka marrë vaksina edhe nga Rusia e Kina, të cilat nuk janë ende të autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave EMA.
Sipas burimeve të KOHËS në Bruksel, BE-ja ka siguruar një sasi prej mbi 600.000 dozash për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto vaksina, sipas këtyre burimeve, ishin të gatshme edhe më herët, por procedura e kontraktimit të tyre, pagesave dhe shpërndarjes, është jashtëzakonisht e komplikuar. Kjo, pasi ato duhet të transportohen dhe të ruhen në kushte të ndjeshme, në temperatura shumë të ulëta.
Nga ana tjetër, prodhuesi ka dashur të sigurohet se gjithçka në tërë zinxhirin e shpërndarjes të jetë sipas standardeve, në mënyrë që të mos ketë pasoja, pasi edhe duhet të merret përgjegjësia për efektet e vaksinimit.
Në emër të BE-së, Austria do të jetë shteti i cili do ta lehtësojë sigurimin e vaksinave. Ato do të paguhen nga shuma prej 70 milionë eurosh, të cilën BE-ja e kishte ndarë vetëm për të ndihmuar vaksinimin në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në negociata për t’i siguruar këto vaksina ishin përfshirë në mënyrë trepalëshe; BE-ja, vendet e rajonit dhe kompania “BioNTech-Pfizer”. Këto marrëveshje pritet të finalizohen javën që vjen. Nëse kjo ndodh, atëherë dozat e para të vaksinave do të vijnë për vendet e rajonit që në fillim të muajt maj.
Sipas burimeve në Bruksel, ndarja e vaksinave për shtetet e rajonit do të jetë në bazë të nevojave e jo në bazë të numrit të banorëve. Pasi qëllimi është që të ndihmohet vaksinimi i kategorive më të rrezikuara dhe i grupeve prioritare. Sipas kësaj logjike, pritet që për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, shtetet që janë në gjendje më të vështirë dhe kanë ngecje më të madhe në vaksinim, të ndahet një numër më i madh i vaksinave. Por secili shtet i rajonit do të përfitojë nga këto vaksina.
Nëse gjithçka do të shkojë sipas planit, Kosova nga BE-ja në pjesën e parë të majit do të marrë “një sasi të konsiderueshme” dozash të vaksinave “BioNTech-Pfizer”, nga mbi 600.000 sa BE-ja do t’i dërgojë. KOHËS, burimet e BE-së i kanë thënë se “po bëhen përgatitjet finale për këtë” dhe se vaksinat do të vijnë nga maji deri në fund të korrikut. Ato do të paguhen nga BE-ja, ndërsa do të jenë për vaksinimin e grupeve prioritare.
Në BE thonë se këto vaksina janë jashtë programit COVAX, përmes të cilit shtetet e rajonit i sigurojnë vaksinat. Kosova deri tash ka marrë vetëm një sasi të vogël fillestare të vaksinave “AstraZeneca”, të cilat në disa shtete të BE-së shihen me dyshime, pasi ka pasur raportime për raste të mpiksjes së gjakut. Por Agjencia Evropiane e Barnave ka thënë se mund të vazhdohet me vaksinim pasi “përfitimet janë shumë më të mëdha sesa rreziqet”. Disa shtete e kanë ndërprerë vaksinim me këto vaksina e disa e kanë kufizuar vetëm për moshat mbi 55 vjeç, pasi rastet e trombozës janë paraqitur tek mosha më e re, sidomos tek femrat nën moshën 55-vjeçare. Sasia të cilët Kosova e ka marrë deri tash nuk mjafton as për të vaksinuar 1 për qind të popullatës, pasi për vaksinim duhen dy doza. Por me donacionet nga BE-ja, me ardhjen e sasive të reja përmes COVAX-it dhe eventualisht edhe sigurimi i vaksinave nga vetë Kosova, situata mund të përmirësohet edhe këtu. Në BE, ndërkohë ka marrë hov vaksinimi dhe deri tash janë vaksinuar me së paku një vaksinë mbi 20 për qind e popullatës së moshës madhore. E në Kosovë është duke u shpërndarë vaksina e prodhuesit “AstraZeneca” nga kontingjenti i vetëm i siguruar prej 24 mijë dozash.