Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur ndalimin e importit të kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Hungaria, pas shpërthimit të sëmundjes “Afta Epizootike” (FMD) në këtë shtet.
Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve hungareze dhe sistemit evropian të informimit mbi sëmundjet e kafshëve (ADIS), sëmundja është identifikuar në zonën kufitare me Sllovakinë. Bazuar në rregulloret ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi, Kosova ka marrë masën e ndalimit të importit për gjedhët, delet, dhitë, derrat dhe produktet e tyre nga Hungaria, ka njoftuar AUV-i.
“Afta Epizootike” është sëmundje virale me përhapje të shpejtë, e cila prek kafshët dythundrake, si lopët, delet, dhitë dhe derrat, si dhe disa specie të egra. Sëmundja nuk paraqet rrezik për shëndetin e njeriut, por shkakton dëme të mëdha ekonomike në sektorin blegtoral dhe ndikon në ndalimin e tregtisë së produkteve shtazore.
AUV-ii ka konfirmuar se Kosova mban “statusin e lirë” nga kjo sëmundje dhe se ka kapacitetet e nevojshme për të monitoruar dhe parandaluar përhapjen në territorin e vendit.
-
Kosova ndalon importin e shpezëve edhe nga Hungaria
-
Kosova ndalon importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të derrit nga Serbia
-
Kosova ndalon importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria pas shpërthimit të murtajës
-
Ndalohet importi i shpezëve nga disa rajone të Polonisë në Kosovë
-
AUV-i heq ndalesën e importit të kafshëve të gjalla dhe shpezëve nga Shqipëria