Gatishmëria e institucioneve të Kosovës që të strehojnë qytetarë afganë pas komunikimeve me autoritetet amerikane mund të ndikojë që raporti Kosovë- SHBA të forcohet.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike e Politike ka deklaruar se Kosova nuk guxon ta humbë këtë mundësi në raport me bashkëpunimin me Amerikën.
“Pranimi i këtyre refugjatëve tregon që Kosova ka kapacitete që të jetë partnere përveç që të jetë mike apo lloj shteti që kërkon gjithë ndihmë nga ShBA-ja, dhe nuk janë të shpeshta rastet që kur një shteti të vogël si Kosova i kërkohet ndihme nga një lloj gjigandi ekonomik politik dhe ushtarak si SHBA-ja”, tha Fetahu.
Sipas tij, një vatër krize e re siç është kjo në Afganistan nuk do ta zbehë rolin e SHBA-së në raport me bisedimet Kosovë- Serbi.
“Edhe pse SHBA-ja është marrë me të e vazhdon të merret, nuk ka qenë top prioriteti i politikes se jashtëm i Z.Biden dhe administratës Biden pavarësisht se natyra e konfliktit nuk është frontal”, tha ai.
Ende nuk dihet si do të bëhet organizimi i pranimit të qytetarëve afganë në Kosovë.
Por sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, Kosova është dashur ta ndihmojë në këtë çështje ShBA-në për shkak të përfshirjes së saj në operacione të shpëtimit të fëmijëve e qytetarëve të tjerë kosovarë të mbajtur në Siri.
“Ma vonë të gjithë kanë qenë pro, i mirëpresim të gjithë ata që kërkojnë ndihmën tonë. Unë jam thirrur në fatin se e kam pa edhe ndihmën e Amerikës, qe na ka ndihmuar nënat me fëmijë nga Siria. Është fat i madh që mund të bashkëpunojmë me Amerikën në këtë rast, por edhe te kthejmë ato gra që janë në Siri e po ankohen që po i keqtrajtojnë”, ka deklaruar Haradinaj.
Deri tani nuk dihet se sa qytetarë të Kosovës mund të jenë të pranishëm në Afganistan.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes një komunikate për media ka njoftuar se deri tani janë në kontakt me 3 kosovarë që gjenden atje.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) është duke vazhduar angazhimin intensiv edhe gjatë ditës së sotme për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës që ndodhen në Afganistan me qëllim të largimit sa më të shpejtë nga atje. Deri në mesditën e së hënës, MPJD është në kontakt të drejtpërdrejtë me tre shtetas dhe po angazhohet për t’iu dalë në ndihmë. Ata janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të rrezikuar”, tha MPJD.
Afganistani ka rënë përsëri në duart e talebanëve, të cilët ishin rrëzuar nga pushteti, pas ndërhyrjes së ShBA-së dhe aleatëve të tyre në vitin 2001.
Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri, i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.
Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet i gjithë aplikacioni.