Gjatë vizitës zyrtare në Washington, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, u prit në takim edhe nga përfaqësues të USAID-it, Brock Bierman, zëvendës administrator, Ana Luisa Pinto, zyrtare e Departamentit për Evropë dhe Euro-Azi si dhe Mark Kamiya, zyrtar i Departamentit të Mjedisit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Reshitaj para se gjithash u shpreh falënderuese ndaj USAID-it për përkrahjen maksimale që ka dhënë dhe po jep për Kosovën e në veçanti në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe planifikimit hapësinor .
“Uji është një burim jetik jo vetëm për njerëzit, por edhe për një shumëllojshmëri të ekosistemeve ujore, duke përfshirë ligatinat, pellgjet ujë-mbledhëse dhe lumenjtë. Ne besojmë se USAID mund të ofrojë ndihmë teknike për Autoritetin Rajonal të Pellgjeve Lumore pasi që na mungon studimi për të gjitha burimet ujore të Kosovës, USAID mund të ofrojë shërbime të ndërtimit dhe ngritjes së kapaciteteve tek ky autoritet dhe kjo do t’i mundësojë ARPL-së për të përmirësuar operacionet, menaxhimin financiar, planifikimin dhe menaxhimin efikas të burimeve ujore”, u shpreh Reshitaj, transmeton Koha.net.
Reshitaj kërkoi ndihmë nga USAID-i edhe për themelimin e Odës së Arkitektëve dhe Inxhiniereve të Ndërtimtarisë, duke deklaruar se tani më shumë së kurrë, zëri kolektiv i arkitektëve është thelbësor për krijimin e një të ardhme më të mirë për Kosovën. Ne besojmë se ata profesionistë duhet të jenë në tryezë me politikbërësit të cilët janë të angazhuar për një mjedis më të mirë dhe një arkitekturë të begatë urbane.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e USAID-it rikonfirmuan gatishmërinë e tyre për të vazhduar përkrahjen për Kosovën, duke u shprehur se janë të kënaqur kur shohin vullnet, gatishmëri e ide konkrete për të shënuar progres shoqëror.
“USAID është i gatshëm të ndihmojë ministrinë tuaj në vazhdimësi në fushat që ju keni nevoje dhe kërkoni përkrahje”, ka thënë Bierman.