Kosova qëndron më së keqi në Evropë në procesin e ripërpunimit të mbeturinave, sipas të dhënave të publikuara nga uebfaqja “Landgeist”, bazuar në statistika zyrtare.
Riciklimi është proces i ripërpunimit të mbeturinave. Riciklimi është bërë çështje kyçe në strategjinë për menaxhimin e mbetjeve në të gjithë botën, dhe Evropa si rajon ka fokus të njëjtën pikë.
Ripërpunimi i mbeturinave ndihmon planetin. Me vetëdijesimin në rritje për ambientin, shtetet evropiane kanë vënë caqe për të minimizuar mbetjet dhe maksimizuar riciklimin.
Evropa krenohet me disa prej normave më të larta të riciklimit në botë, me Gjermaninë, Austrinë e Slloveninë që dominojnë. Sipas të dhënave të zyrës statistikore të Bashkimit Evropian “Eurostat”, shkalla mesatare e riciklimit të mbetjeve në vitin 2021 arriti në 49.8 për qind.
Gjermania është performuesja më e mirë në këtë aspekt me shkallë të riciklimit të 69.3 për qind të bërllokut të riciklueshëm. Austria e ndjek me 62.5 për qind dhe Sllovenia me 60.8 si tri vendet e vetme që riciklojnë më shumë se 60 për qind të mbetjeve të riciklueshme.
Dy shtete qëndrojnë shumë keq, Kosova dhe Mali i Zi. Janë të vetmet me shkallë nën 10 për qind. Kosova riciklon vetëm 2.5 për qind të materialeve të riciklueshme, sipas të dhënave të “Eurostatit”. Mali i Zi qëndron me 4.7 për qind në vendin e parafundit në Evropë.
Shqipëria qëndron më së miri në rajon me shkallë 18.7 për qind të riciklimit të mbetjeve të riciklueshme.
