Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova kërkon shkarkimin e përfaqësuesit serb në Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor

Shkarkimin e Jagos Stojanoviqit, përfaqësuesit të të rinjve në Bordin Drejtues Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) e kanë kërkuar organizata dhe zyrtarë të Kosovës, pasi më 18 janar Stojanoviq kishte publikuar një fotografi duke mbajtur pankartën me mbishkrimet “Nuk ka dorëzim” mbi hartën e Kosovës të mbuluar me flamur serb.

Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) është mekanizëm institucional që funksionon në mënyrë të pavarur, i themeluar nga pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Ka për qëllim promovimin e frymës së pajtimit dhe bashkëpunimit mes të rinjve në rajon.

Pas publikimit të fotografisë, nga Kosova është bërë thirrje për shkarkimin e Stojanoviqit.

“Ky mesazh është një mesazh shovinist dhe fanatik i urrejtjes dhe përçarjes së mëtejshme etnike, duke bërë thirrje për kthimin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës me çdo mjet të nevojshëm, edhe nëse ato metoda janë të ngjashme me ato të regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Një mesazh i tillë i mbajtur nga një anëtar i bordit drejtues të RYCO-s është shkelje e drejtpërdrejtë e misionit të RYCO-s dhe më konkretisht bie në kundërshtim me nenin 7 për Mandatin e RYCO-s të Statutit të RYCO-s, pra me postimin e këtij mesazhi, Jagos ka DËSHTUAR të promovojë diversitet dhe vlera demokratike, të rrisë bashkëpunimin e qëndrueshëm rajonal mes të rinjve dhe vendosjen e marrëdhënieve të reja mes të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të nxisë pajtimin dhe qasjet konstruktive ndaj kujtimit dhe të promovoj frymën evropiane të bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe tolerancës”, thuhet në reagim të Këshillit Rinor të Kosovës.

Në reagim thuhet se edhe Këshilli Rinor Kombëtar Serb ka kontestuar pozitën e Stojanoviqit në RYCO, pas përfshirjes së tij në institucionet zyrtare gjatë përzgjedhjes.

Këshilli Rinor i Kosovës ka kërkuar katër veprime për rastin e Stojanoviqit: Shkarkimin e menjëhershëm, rizgjedhjen e përfaqësuesit të ri, bojkotin e të gjitha mbledhjeve deri në ndryshimet e kërkuara, dënim publik nga të gjitha institucionet e lidhura me RYCO-n.

Edhe RYCO arriti mbi 31,000 të rinj dhe investoi më shumë se 7 milionë euro në programe shkëmbimi Reklama RYCO arriti mbi 31,000 të rinj dhe investoi më shumë se 7 milionë euro në programe shkëmbimi

Ndërkaq organizata YIHR ka thënë se parakusht për procesin e pajtimit është respektimi i parimeve të misionit të RYCO-s. YIHR-ja ka kërkuar ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme për shkarkimin e Stojanoviqit.

Për fotografinë e përfaqësuesit serb ka reaguar edhe këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj. Ai ka thënë se fotografia e Stojanoviqit në vend të paqes dhe pajtimit, promovon urrejtjen.

“Është një akt i neveritshëm, por jo për t'u habitur. Në fund të fundit, çfarë mund të pritet nga të rinjtë në Serbi, kur lidershipi dhe shteti i tyre ende u mësojnë urrejtje ndaj Kosovës në shkolla, në kisha dhe në TV çdo ditë”, ka shkruar Zulfaj që po ashtu ka kërkuar marrjen e vendimit për shkarkim nga RYCO.