Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova ka rreth 82 mijë punëtorë në administratë publike, propozohet heqja e kontratave mbi vepër

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcillar, në Puls të KTV-së, ka thënë se nga buxheti i Kosovës paguhen rreth 82 mijë punëtorë të administratës publike.

Mirëpo, sipas tij, ka të tillë që nuk e marrin rrogën e plotë që mund të jenë nëpër pushime mjekësore. “Ndërsa, ata që marrin pagë të plotë janë rreth 79 mijë”, tha ai.

Ministri po ashtu zbuloi se në Kosovë funksionojnë 100 agjenci të pavarura dhe ekzekutive.

Yagcilar po ashtu ka zbuluar se është propozuar edhe heqja e kontratave mbi vepër. 

“Sa i përket kontratës mbi vepër, në ligjin ekzistues, s’është propozuar kurrë një zgjidhje sa e si të zgjaten, cilat janë kompetencat e tyre. Me ligjin e ri do të propozojmë që kjo të mos ekzistojë. Nëse shkon si po mendojmë ne, më nuk do të ketë mundësi që për punë të rregullta, të caktuara për njerëz të pranuar në punë, dikush tjetër t’i kryejë ato punë. Mund të ketë kontratë të caktuar, por jo mbi vepër”, është shprehur ai.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Shqipe Pantina, ka thënë se kontratat mbi vepër janë një nga dy pikat kryesore në të cilat abuzohet më së shumti. Sipas saj, pika tjetër është ushtrimi i detyrës.

Ajo ka thënë se me kontratat mbi vepër, shumë institucione e shohin si kanalin më të mirë për të punësuar njerëz të caktuar.

Edhe Qeverisja me ushtrues detyre: Mbi 80 % të pozitave të larta me zëvendësues BETIMI PËR DREJTËSI Qeverisja me ushtrues detyre: Mbi 80 % të pozitave të larta me zëvendësues

Sa i përket ushtrimit të detyrës, sipas Pantinës, në funksione të larta po bëhen abuzime të mëdha duke u mundësuar njerëzve nga sektore të ndryshme të depërtojnë në ushtrues detyre vetëm që atyre t’u figurojë në CV një funksion i caktuar. Ajo është ankuar edhe në tejzgjatjen e funksionit si ushtrues detyre. 

Ajo po ashtu ka thënë se reformat në administratë duhet të nisin nga institucionet kryesore.

“Duhet të fillojmë nga koka nëse duam reforma në administrata. Duhet të vijë ligji për Qeverinë. Duhet të zvogëlohet numri i ministrive. Mendoj se ka ministri që duhet të mos ketë fare zëvendësministra. Këshilltarët e ministrit duhet të jenë drejtorët. Numri duhet të zvogëlohet”, ka thënë ajo.