14-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të përcillet me shumë aktivitete institucionale. Sot krerët e shtetit do të bëjnë ngritjen e flamurit shtetëror në mëngjes, do të bëjnë homazhe në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova e ai i veprimtarit Adem Demaçi. Sot Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë solemne për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë, me fillim nga ora 11:00. Forca e Sigurisë dhe Policia do të parakalojnë në sheshin “Nënë Tereza” me fillim prej orës 12:00.
12:38 - Ushtria e Policia parakalojnë në shesh
Është mbajtur parakalimi i Ushtrisë dhe Policisë së Kosovës në sheshet kryesore të kryeqytit të Kosovës.
Ky parakalim vjen për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në shesh janë mbledhur figurat më të larta shtetërore.
Ndërkaq për të parë parakalimin janë mbledhur edhe qytetarët e vendit.
12:42 - Kurti: Kosova është çështje e të gjithëve
Edhe
Osmani u drejtohet 18-vjeçarëve: Ruajtja e Kosovës është amaneti më i rëndësishëm për ju
Albin Kurti ka thënë se Kosova është shtet ku të gjithë jetojnë të barabartë. Tha se shteti qëndron i palëkundur krah vendeve mike.
Kurti shtoi se Kosova është e përcaktuar për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.
“Republika e Kosova qëndron e palëkundur krah vendeve mike. Kosova është e përcaktuar në anëtarësimin në NATO e BE dhe çdo ditë punojmë për ta treguar përkushtimin tonë. Garancia e paqes në peshën aktuale të konflikteve dhe autokracive është ekzistenca efektive e aleancës ë Atlantikut Verior”, ka thënë ai.
Kurti kujtoi dëshmorët që u vranë për ta çliruar Kosovën.
“Rrugëtimi i popullit tonë deri në këtë ditë ishte i gjatë edhe i mundimshëm, sot i kujtojmë heronjtë tonë që dhanë më të shtrenjtën e tyre, sot kujtojmë vuajtjen e flijimin e heronjve tonë atyre që na kujtojnë se sa është e shenjtë liria. Sot bashkohemi edhe në fuqi edhe në festë jemi mirënjohës dhe jemi të bashkuar”, ka thënë ai.
“Kosova është çështje e të gjithëve”.
12:29 - Osmani: Djemtë dhe vajzat që parakalojnë sot janë garanca e sigurisë së Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se 14 vjet të shtetësisë së Kosovës nuk janë shumë por nuk janë as pak për ta kujtuar rrugën e vështirë për ta bërë shtetin.
Djemtë dhe vajzat që parakalojnë sot, ajo thotë se janë siguria dhe garanca e Kosovës.
“Jam krenare qe ndodhem sot jam para jush në këtë parakalim të ushtrisë e policisë sonë. 14 vite të shtetësisë së Kosovës nuk janë shumë por nuk janë as pak për ta kujtuar sakrificën që ka kaluar shteti. Ata nuk janë vetëm siguria jonë por edhe garanca e shtetit të Kosovës që po e forcojmë çdo ditë e më shumë. Teksa forcat tona do marshojnë nuk ka sesi si të mos kujtohet periudha e rezistencën paqësore e të armatosur, e presidentit Ibrahim Rugova. Nuk ka se si të kujtohet se sa e dhimbshme dhe sakrifica ishte rruga drejt lirisë për juve qytetarë. Drejtësia akoma nuk është vendosur e drejtësi thërrasim çdo ditë, faleminderit Amerike, NATO e secilit shtet mik”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se secili qytetar e këtij vendi ka bërë diçka për këtë ditë.
“Sot jemi këtu dhe përkulemi para të gjithëve që e bënë ëndrrën realitet. Një shtet i vogël por me zemër të madhe e synim i joni është Bashkimi Evropian e NATO”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se në këtë rrugëtim duhet të ruhet liria e pavarësia, të përmirësohet qeverisja në interes të qytetarëve e edhe më tutje të forcohet ekonomia e vendit.
11:44 - Kurti shfrytëzon seancën solemne për të lavdëruar Qeverinë, opozita e lëshon sallën
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në seancën solemne në shënimin e 14-vjetorit të Pavarësisë së shtetit, ka thënë se pavarësisht dallimeve politike, sot shqiptarët bashkohen për të shënuar këtë ditë. Megjithatë, ai nuk është mirëpritur nga deputetët e opozitës të cilët e kanë lëshuar sallën e Kuvendit.
Kurti ka shfrytëzuar seancën për pavarësinë, që të tregojë pak edhe për të arriturat që konsideroi se pati Qeveria. Ai përmendi krizën energjetike e pandeminë, si dhe shtesat për punëtorët.
“Kriza me pandeminë e energjinë kanë prekur çdo shtet dhe nxorën në pah mungesën e planifikimit tonë afatgjatë e investimeve strategjike. Prandaj duhet të gjejmë gjuhën e mirëkuptimit me njëri tjetrin. Krizat kanë prekur të gjithë qytetarët. I di kushtet që jetojnë shumica e qytetarëve, i njoh brengat e tyre, shumica jetojnë nga muaji në muaj, e të shumtë jetojnë me dërgesa nga diaspora. Ishte kjo gjendje e qytetarëve dhe humbja në besimin e drejtësisë, ajo që solli ndryshimin e madh një vit më parë”.
“Falë luftës ndaj korrupsionit e krimit, Kosova është renditur e para dhe u ngrit për 17 vende në luftimin e korrupsionit. Në rrafshin ndërkombëtar kemi thelluar bashkëpunimin me miqtë tanë duke forcuar sigurinë për qytetarët. Vitin që shkoi, Kosova ishte nikoqire me ushtarë. Kemi realizuar numër rekord vizitash jashtë e brenda vendit dhe kemi ridenfinuar dialogun në Bruksel si dy shtete të barabarta dhe të përqendruar në njohje. Kemi ndryshuar praktikën e dëmshme që ishte në shkelje të rendit dhe Kushtetutës. Politika jonë është ajo e fqinjësisë së mirë”, ka thënë Kurti teksa vazhdimisht është përcjellë nga diskutimet e opozitarëve të cilët nga ulëset e tyre kanë folur.
Ai pati disa fjalë edhe për mediat. Tha se nuk ka demokraci pa media të lira e të pavarura, duke shtuar se dezinformatat vijnë nga shërbime të jashtme.
“Si kryeministër e kuptoj se njerëzit do thonë lloj-lloj gjëra për mua, por unë do ta mbrojë këtë sepse lufta jonë për liri nuk ishte vetëm luftë për tu çliruar por për të jetuar të lirë. Për të ecur përpara na duhet një mendim praktik jo vetëm kritik. Duhet të gjejmë konsensus, dhe uniteti që nuk e pamundëson kritikën”, ka thënë ai.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se lufta jonë ishte e drejtë dhe sipas tij asnjë gjykatë në botë nuk mund ta ndryshojë e as shtrembërojë këtë të vërtetë.
Konjufca ka thënë se Kosova duhet ta ketë forcën e vegjëlinë që ta gjejë rrugën e duhur.
Sipas tij, do të kujdesen për Pavarësinë për të përmbushur amanetin e të rënëve nëpër breza.
11:32 - Osmani: Rruga deri në pavarësi nuk ishte e lehtë, ka ende punë për t’u bërë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën solemne të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka thënë se aspirata shekullore e popullit të Kosovës u materializua me pavarësinë.
Sipas saj, rruga deri te ky akt nuk ishte e lehtë.
Ajo ka thënë se u dashtë shumë mund e sakrifica për ta bërë shtetin.
Edhe
Përvjetori i 18-të i Pavarësisë shënohet me thirrjen për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
“Nën udhëheqjen e Rugovës, Kosova i bëri të ditur botës demokratike se synim i saj ishte pavarësia e vendit. Për aq sa u rri shtypja ndaj ne, u rrit edhe rezistenca jonë. Vajza e djem u bënë gardian të atdheut. Secila luftë i ka heronjtë e vet, e liria jonë e njeh Adem Jasharin që u flijua për ne. Ne do ta njohim figurën e tij dhe të gjithë heronjtë. Ne sot i nderojmë të gjithë invalidët e luftës dhe viktimat e luftës. Të gjithë meritojnë respekt e nderim”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se sot këtu jemi sepse ishin edhe miqtë ndërkombëtarë.
Ajo ka thënë se shtetet mike u vunë në anën e lirisë dhe pavarësia u takon edhe atyre.
Presidentja e vendit ka thënë se shpresojnë se me ndihmën e tyre do ta mbyllin edhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
“Sot edhe Kosova edhe rajoni e bota po përballen me politika destabilizuese të Rusisë. Ne i dënojmë tendencat e tilla, siç e dënojmë edhe ndonjë pushtim të mundshëm të Ukrainës. Kosova ka vendosur në cilën anë është dhe qëndron fuqishëm në anën e aleatëve të saj. Kosova sot nuk është as ajo e qershorit ’99 e as e shkurtit 2008. E vërteta mund të vonohet por jo edhe të shmanget. Dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke. Nuk do të pranojmë që ky proces t’i shkaktojë kokëçarje vendit tonë”, ka thënë ajo.
11:19 - Nis seanca solemne në 14-vjetorin e Pavarësisë
Ka nisur seanca solemne me rastin e kremtimit të 14-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
10:34 - Krerët vendosin kurora lulesh te ish-presidenti Rugova dhe veprimtari Demaçi
Krerët e shtetit kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë vendosur kurora lulesh te varri i Rugovës.
Të njëjtit bënë homazhe edhe pranë varrit të veprimtarit, Adem Demaçi.
Më herët, homazhe ka bërë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
10:12 - Abdixhiku bën homazhe te varri i Ibrahim Rugovës
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me anëtarët e Kryesisë, kanë bërë homazhe te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova, me rastin e 14-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Abdixhiku ka thënë se në ditën e sotme, ditën më të rëndësishme të Kosovës, duhet të nderohen të gjithë themeltarët e shtetit.
“Në 14-vjetorin e ditëlindjes së shtetit të Kosovës, në ditën më të rëndësishme historike për vendin tonë, sot nderojmë të gjitha gjeneratat që për kohë të gjatë kanë bërë të mundur që ne të kemi festë më 17 shkurt. Të nderojmë intelektualët e viteve ’90, me presidentin historik, atin themeltar të shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova, siç nderojmë familjen Jashari, të rënët dhe i falënderojmë aleatët tanë që na qëndruan në krahë. Sot është festë dhe në këtë festë duhet të kujtojmë themelet e shtetin tonë, që janë aq të dhimbshme aq edhe të lavdishme”, ka thënë Abdixhiku pas homazheve.
09:35 - Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz
Krerët e shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Prekaz, në vendlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, në 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Ata vizituan Kompleksion Memorial "Adem Jashari", megjithatë nuk u prononcuan për media.
Përpos krerëve të shtetit, në Prekaz homazhe bëri edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e vizitorë të shumtë që vijnë nga vende të ndryshme të Kosovës dhe jo vetëm.
08:26 - Krerët urojnë Pavarësinë, kujtojnë të rënët
Krerët e shtetit të Kosovës kanë uruar qytetarët e vendit në përvjetorin e 14-të të Pavarësisë. Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar këtë ditë si më kulmoren që ka pasur ndonjëherë populli i Kosovës, ndërsa bashkë me kryeministrin Albin Kurti e kryeparlamentarin Glauk Konjufca kanë kujtuar të rënët për lirinë e Kosovës.
“Edhe në këtë ditë si në çdo ditë të punës e përpjekjeve tona, dua ta shfrytëzoj për t’i falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë gjithçka për të pasur atë që kemi sot. Duke filluar nga vizioniari dhe arkitekti i shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova që diti ta qartësojë vullnetin e qytetarëve para botës dhe duke vazhduar mbi 3 mijë dëshmorë që flijuan veten e tyre për të qenë sot të lirë, të udhëhequr nga familja Jashari”, ka thënë ajo duke vazhduar se vetëm kur ka unifikim drejt qëllimeve Kosova mund të ketë sukses.
Ajo ka falënderuar edhe shtetet partnere të Kosovës që i kanë qëndruar afër shtetit.
Ditë më të rëndësishme të Republikës e ka konsideruar 17 Shkurtin kryeparlamentari Konjufca, ndërsa kryeministri Kurti ka thënë se “pos urimeve s’ka se si të mos kujtohen ata që luftuan e u flijuan për pavarësinë e vendit”.
08:08 - Ngrihet flamuri shtetëror në Ditën e Pavarësisë
Edhe
17 vjet shtet
Krerët e shtetit kanë ngritur flamurin e Kosovës në oborrin e Qeverisë së Kosovës në nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe gjenerallejtënant Bashkim Jashari.