11 marrëveshje i kanë nënshkruar Maqedonia e Veriut dhe Kosova, në mbledhjen e përbashkët qeveritare mes tyre. Pas mbledhjes, kryeministrat e të dy shteteve, Zoran Zaev e Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët kanë thënë se kanë shumë çështje që janë në interes të të dyjave vendeve. Sipas tyre, dallimet që kanë lidhur me iniciativën “Open Ballkan” nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet mes dy shteteve.
Dallimet që kanë lidhur me iniciativën “Ballkani i Hapur”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ai i Maqedonisë, Zoran Zaev, i kanë lënë anash këtë të enjte.
Në mbledhjen e përbashkët, Kurti e Zaevi janë dakorduar për nënshkrimin e 11 marrëveshjeve mes dy shteteve.
Por, bashkëpunimi i tyre nuk pritet të ndikojë në ndryshimin e pozicionit të Kosovës karshi iniciativës, pjesë e së cilës është edhe Maqedonia e Veriut.
“Jemi të orientuar kah e ardhmja e për neve e ardhmja është BE-ja. Pra, BE-ja është fati ynë, ndërsa Evropa është kontinenti ynë. Ndaj edhe si Republikë e Kosovës ne mbështesim të gjitha iniciativat rajonale në të cilat e kemi BE-në e të cilat janë nga BE-ja. Natyrisht, të gjitha këto marrëveshje që i kemi nënshkruara, asnjëra prej tyre nuk mund të cenohet në zbatim pavarësisht ndonjë dallimi që mund të kemi”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
Qëndrimin për të mos iu bashkuar iniciativës, kryeministri maqedonas thotë se e respektojnë dhe se ai nuk do ndikojë në marrëdhëniet që kanë.
“Ne si kryeministra kemi mendime të ndryshme, por kjo nuk është pengesë për bashkëpunimin tonë të ndërsjellë, sepse ne e kemi detyrimin që t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve, ekonomisë, odave ekonomike, institucioneve dhe pikërisht këtë po e bëjmë”, është shprehur Zaevi.
Kurti e Zaevi janë shprehur optimistë se marrëveshjet që kanë nënshkruar do të zbatohen.
Marrëveshja për studimin e fizibilitetit për rrugën “Prizren–Tetovë”, për rregullimin kufitar të komunikacionit hekurudhor, marrëveshja për bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ndërmarrësisë, janë vetëm disa nga 11 gjithsej sa janë nënshkruar këtë të enjte.