Arbëri

Kosova e ’19-s: Vendnumërimi i arsimit

Që nga paslufta, arsimi në Kosovë ka kaluar një ndër vitet më të rënda, duke shënuar ngecje të përgjithshme në shumë procese, e pak pati ngritje të cilësisë.

Fundi i vitit 2019, tronditi sistemin e arsimit në Kosovë, duke marrë edhe një karton të kuq nga një tjetër institucion, vetëm një vit e gjysmë pas përjashtimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Komiteti i Regjistrimit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Më 2 tetor, Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) mori vendim që përfundimisht ta përjashtojë Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Në fakt, AKA ishte bërë pjesë e ENQA-s në vitin 2014 si anëtare me të drejtë të plota për një periudhë 5 vjeçare. Vitin e kaluar, ENQA ia ndryshoi statusin Agjencisë nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim, për shkak të ndërhyrjeve politike në këtë institucion.

Dhe të dyja këto përjashtime u bënë nën udhëheqjen e Shyqiri Bytyqit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në letrën e ENQA-s, thuhej se bordi i këtij institucion, ka ardhur në përfundim se niveli i përgjithshëm i pajtueshmërisë me standardet dhe udhëzimet për sigurimin e cilësisë të Arsimit të Lartë nuk është i mjaftueshëm për të përmirësuar anëtarësimin e Agjencisë në këtë fazë, raporton KTV.

Nga 14 standarde sa do të duhej që Kosova t’i plotësonte për ta vazhduar anëtarësinë në ENQA, 7 prej tyre nuk ishin përmbushur.

Por, ndikimet nga jashtë në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, kanë qenë arsyet kryesore të këtij përjashtimi.

Kosova nuk ka të drejtë edhe dy vjet të tjera të aplikojë për t’u rianëtarësuar në ENQA.

Kurse, në dhjetor, sistemi i arsimit u trondit edhe nga rezultatet e PISA-s.

Kosova u rendit ndër vendet e fundit të shteteve pjesëmarrëse, ku për herë të dytë shënoi rezultate të dobëta në Programin për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve. Ajo u rendit në vendin e 77-të nga 79 shtetet pjesëmarrëse.

Dështimin e Kosovës në PISA e kanë pranuar edhe institucionet përgjegjëse të arsimit kosovar.

Rezultatet e dobëta të PISA-s, kanë ngjallur reagime dhe kritika të ashpra të njohësve të arsimit dhe shoqërisë civile.


Lexoni edhe: 

Kosova e ’19-s: Bllokada për rroga… [video]


Derisa ministri në detyrë, fajtorë la paraardhësit e tij. Njohësit e fushës së arsimit një pjesë të fajit për këtë dështim ia kanë atribuuar edhe kurrikulës së re e cila ka nisur të zbatohet në vitin 2017 si dhe teksteve shkollore me shumë probleme.

Në niveli parauniversitar, konkretisht shkollat fillore përveç që u përballën me humbje të orëve mësimore për shkak të grevës së janarit, ata mësuan me tekste me shumë gabime. Ndonëse u hartuan libra të rinj për klasat 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11, edhe në ta u gjetën gabime të shumta. Megjithatë, Ministria nuk i anuloi këto tekste dhe vendosi t’i botonte. Përgjegjësinë për gabime Ministria ua la recensentëve.

Ministria e Arsimit ka paralajmëruar se për klasat 3, 4, 5, 8, 9 dhe 12 nuk do të ketë tekste të reja deri vitin e ardhshëm.

Në arsimin parashkollor në pjesën e fundit të vitit MASHT-i nisi me zbatimin e kurrikulës për edukim në fëmijërinë e hershme 0-5 vjeç. Por, në praktikë zbatimi i saj ka ngecur, për faktin se dokumenti nuk është pranuar nga edukatorët dhe institucionet parashkollore.

Kjo, pasi ato konsiderojnë se Ministria e Arsimit nuk i ka respektuar rekomandimet e adresuara kur dokumenti ka qenë në diskutim publik.

Me gjithë këto ngecje në sistem, Ministria e Arsimit i ka shpenzuar qindra mijëra euro jashtë vendit, ne emër të vlerësimit të teksteve shkollore.

Në një rast kishte dërguar 100 persona në hotelin “Bonita” të Durrësit, për udhëtimin e të cilëve ministria kishte paguar çmim të dyfishtë.

Kjo u zbulua në momentin kur një ekipi i KTV-së tentoi të bëjë një rezervim, me numër të njëjtë pjesëmarrësish. Hotel “Bonita” për akomodimin e 100 personave, me të gjitha shërbimet për shtatë ditë qëndrimi, i kërkoi 21 mijë euro.

Por, për shërbimet e njëjta dhe numrin e njëjtë të personave, Ministria e Arsimit ka paguar dyfishin e kësaj shume, apo 42 mijë euro.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk ia arriti të mbajë premtimin e saj se që nga shtatori do të nisë mësimi tërëditor. Kjo, pasi nuk u plotësuan kushtet infrastrukturore në këto shkolla. Në mungesë kushtesh, fillimi i këtij procesi kishte dështuar edhe më 2018-n.