Arbëri

Kosova e ’19-s: Ftesat speciale

Në më shumë se 250 ka arritur numri i atyre që janë intervistuar dhe po intervistohen në Hagë e Prishtinë, për pretendimet se gjatë luftës çlirimtare kryen krime kundër civilëve.

Informacionet e ardhura nga të intervistuarit nga Prokuroria e Specializuar, flasin për një interes të theksuar të prokurorëve për veprimtarinë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Deri më tani, nga ky shtab janë ftuar thuajse të gjithë akterët, duke përjashtuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ende nuk ka marrë ftesë, raporton KTV.

Por, cilët janë ata dhe çfarë bënë në luftë dhe pas saj?

Kadri Veseli - ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës

Në luftë u identifikua me nofkën “Luli”, njëri ndër themeluesit e UÇK-së, ndërsa nga 1998-a udhëhoqi G2-shin, i njohur pas luftës si Shërbimi Informativ i Kosovës, por që i shërbeu vetëm PDK-së.

Ramush Haradinaj - ish-kryeministër i Kosovës

Në luftë e kishte nofkën “Smajli”, komandat i Zonës Operative të Dukagjinit. Dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë. Në korrik të sivjetmë, u intervistua në Hagë sërish si i dyshuar, për çka ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit.

Sylejman Selimi - ish-komandant i FSK-së

I njohur me nofkën “Sulltani”, Sylejman Selimi, ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në janarin e sivjetmë u lirua nga burgu me kusht, ku po vuante dënimin për vrasjen e një civili shqiptar, për çka ishte dënuar nga Gjykata e Mitrovicës me 8 vjet heqje lirie. Ka udhëhequr TMK-në, ndërsa ishte komandanti i parë i FSK-së. Një kohë ka qenë edhe ambasador i Kosovës në Shqipëri.

Azem Syla - ish-deputet i PDK-së

“Daja” ka qenë emri më të cilin është thirrur në luftë. Ai ka qenë ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Syla ka shërbyer edhe si ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. Syla dyshohet edhe për mashtrim të shtetit zviceran, ngase thuhet se në mes të viteve 2002 dhe 2011 ka marrë ndihma sociale prej 480 mijë frangash, duke u prezantuar si i paaftë për punë. Aktualisht, Azem Syla është duke u gjykuar në rastin “Toka”.

Rrustem Mustafa - ish-deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës

I njohur si komandant “Remi”, Mustafa ishte komandat i Zonës Operative të Llapit. Në 2013-n nga Gjykata e Prishtinës u dënua për krime lufte ,si pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Llapit”, që po gjykohej për zhvatje dhe shantazh ndaj disa biznesmenëve shqiptarë, të bëra menjëherë pas luftës.

Sami Lushtaku - ish-deputet e ish-kryetar i Skenderajt

Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës vazhdimisht u përball me drejtësinë. Më 2015-n, Gjykata Themelore në Mitrovicë e dënoi atë me 12 vjet burgim për krime lufte në rajonin e Drenicës gjatë luftës së fundit në Kosovë, dënim që iu zbrit në 7 vjet dhe më pas u lirua nga të gjitha akuzat. Ishte i akuzuar edhe në një rast për korrupsion në KEK, nga ku është shpallur i pafajshëm. Aktualisht, është duke u gjykuar për arratisjen nga QKUK-ja gjatë kohës sa ishte i dënuar për krime lufte.

Rexhep Selimi - deputet i Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës

Njëri ndër themeluesit e UÇK-së, i njohur në luftë me nofkën “10”. Rexhep Selimi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Rexhep Selimi më 28 nëntor 1997 ka bërë paraqitjen e parë publike të UÇK-së. Më 1998 ka qenë drejtues i Drejtorisë së operacioneve në SHP të UÇK-së. Më pas, Selimi ka qenë inspektor i përgjithshëm i UÇK-së. Gjatë viteve 1999- 2000 ka qenë ministër i Rendit Publik në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.

Lahi Brahimaj – Ish deputet i AAK-së

I njohur me pseudonimin “Magjupi” gjatë luftës në Kosovë ishte zëvendëskomandant i Shtabit Operacional të Zonës së Dukagjinit, si dhe ndërmjetës midis Shtabit të Zonës së Dukagjinit dhe Shtabit kryesor të UÇK-së. Më 2008-n, Brahimaj, që është daja i Ramush Haradainajt, u dënua me gjashtë vjet burgim për krime lufte.


Lexoni edhe: 

Kosova e ’19-s: Lëvizja e lirë, e harruar [video]


Për shkak të këtyre ftesave, Kosova mbeti pa Qeveri në korrikun e 2019, e në Hagë udhëtoi edhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli.

Në Hagë për dy ditë, është intervistuar edhe ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nën dyshimin për rrjedhje të informacionit dhe për paratë që shteti ndau për disa nga të akuzuarit e mundshëm nga Specialja.

Gjykata Speciale ka mandatin e kufizuar dhe i mbetet legjislaturës së ardhshme që të vendosë për të ardhmen e saj.

Porse mos-vazhdimi i një mandati të tillë, thuhet se mund t’i sjellë dëme të mëdha Kosovës, në aspektin politik dhe ndërkombëtar, ani se një herë u tentua që ky institucion të zhbëhet pikërisht me iniciativë të PDK-së atë kohë në pushtet.

Por, në Kosovë me një tjetër përballje gjyqësore janë duke u përballur ish-komandantët e luftës.

Janari ishte muaji kur nisi gjykimi për njërën ndër lëndët më të përfolura gjatë viteve të fundit, atë të keqpërdorimit me lista të veteranëve

Ish-krerët e komisionit shtetëror disa prej tyre figura të larta në UÇK, nisën përballjen me gjykatë, derisa procesin e quajtën të manipuluar politikisht.

Agim Çeku, Rrustem Berisha, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, para gjykatës u deklaruan të pafajshëm.

E derisa Gjykata e Themelore dhe ajo e apelit konfirmuan këtë aktakuzë, themelorja nuk mori parasysh ankesën e Prokurorisë Speciale, e cila kërkoi që të pezulloheshin pagesat e pensioneve për 19.500 veteranë, ndonëse aktakuza thotë se buxheti i Kosovës u dëmtua për rreth 68 milionë euro.

Aktakuzën e ish-prokurorit special në gjykatë tashmë e përfaqësojnë dy prokurorë të tjerë Valdet Gashi dhe Enver Krasniqi të cilët 11 të akuzuarit i ngarkojnë me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, në marrjen në pyetje të dëshmitarëve në rastin e veteranëve, gjykata si rrallëherë, vendosi që mediave t’ua ndalojë publikimin e dëshmive të tyre derisa kërkoi që emrat e tyre të publikoheshin vetëm me iniciale.

Ajo këtë vendim të sajin e arsyetoi me faktin se dëshmitarët e padëgjuar nuk duhej të informoheshin mbi dëshmitë që po jepeshin brenda seancës.

Procesi gjyqësor në këtë rast pritet të vazhdojë pjesën e dytë të janarit të 2020-s, ku mbrojtja e të akuzuarve pritet të propozojë prova dhe dëshmitarë në këtë rast.

Pronto

Një tjetër aferë e përfolur në publik e njohur si “Pronto”.

Qindra përgjime në të cilët u përfshinë shumë zyrtarë të PDK-së ,të cilët dëgjohen duke biseduar për emërime në borde publike e institucione të tjera shtetërore, janë në fazën përfundimtare.

Njëra prej arsyeve se ky proces po shkon drejt fundit, është pasi gjykata mori vendim që të gjitha përgjimet dhe provat t’i konsiderojë si të lexuara, duke e privuar publikun nga dëgjimi i tyre në gjykatë.

Ky proces gjithashtu vazhdoi pa ndonjë dëshmitar të propozuar nga Prokuroria Speciale dhe as nga mbrojtja e të akuzuarave.

Për rastin “Pronto” të akuzuar janë njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, ish-deputeti Adem Grabovci, zyrtari i PDK-së Besim Beqaj, ish-deputeti Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm të ministrive, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB, Sadat Gashi, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë, Ismet Neziraj, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë, Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, dhe ish-shefja e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.