Arbëri

Kosova e ’19-s: E papritshmja e jashtëzakonshme

Edhe legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës nuk arriti që të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.

Kjo, pas votimit pro shpërndarjes së Kuvendit, e që hapi rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, njëkohësisht bëri që Kuvendi për herën e tretë të votonte shpërndarjen e tij.

Derisa diskursi politik në vend, pak kohë para shpërndarjes së Kuvendit, u ashpërsua, përfaqësues të partive politike, e nisën atë ende pa u shpallur zgjedhjet, duke thumbuar kundërshtarët politikë, madje edhe ata me të cilët kishin bashkë-qeverisur.

Megjithëse lufta më e madhe ishte mes dy taborëve, opozitës së atëhershme dhe pozitës.

Sovrani, të cilin partitë politike e kanë përmendur më së shumti para dhe gjatë fushatës, shkaktoi tërmet politik në Kosovë, duke përmbysur pozitën e duke larguar pas më shumë se 10 vjetësh nga pushteti, PDK-në e Kadri Veselit, raporton KTV.

Dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike fituan shumicën e votave të qytetarëve, derisa partia e Kurtit fitoi zgjedhjet e parakohshme me një diferencë të vogël votash me LDK-në.

Pas 14 vjetësh në rrugë, në Kuvend me fjalime e gaz, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka mundur të flasë për herë të parë si fitues i zgjedhjeve në Kosovë.

Vetëm një vit pasi që partia që udhëhoqi, iu nda duke marrë pas vetes dy komuna e 12 deputetë, Kurti ia doli që të mposhtë konkurrencën e LDK-së së ringjallur me Vjosa Osmanin, dhe të lërë shumë mbrapa Kadri Veselin e PDK-së.

Partia e tij mori 29 deputetë, duke i dhënë edhe mundësinë për të formuar qeverinë e re të Kosovës, por të cilën nuk mund ta bëjë i vetëm.

Një koalicion i mundshëm me LDK-në do ta ballafaqojë me një sërë sfidash të mëdha – duke përfshirë kryesoren - dialogun me Serbinë.

Por, ish-shefi i SHIK-ut, i kthyer në politikan si kryetar i PDK-së, Kadri Veseli pësoi humbjen e parë të plotë, pasi një gjysmëhumbjeje kishte marrë në zgjedhjet paraprake kur të gjitha partitë të rreshtuara nën Koalicionin PAN, morën vetëm 33.7 për qind të votave, të pamjaftueshme për ta formuar të vetëm qeverinë.

Humbësi më i madh? Ramush Haradinaj

Ai këndoi nëpër studio e vuri plis në kokë, por kosovarët nuk e morën seriozisht kauzën se ishte ai njeriu që do të ruante kufijtë e Kosovës.

Haradinaj e la qeverinë pa ia kërkuar askush këtë, dhe edhe pse afroi rreth vetes të ikurit e Vetëvendosjes, nuk arriti të marrë më shumë se 90.000 vota.

Njerëzit e PSD-së u lavdëruan në fushatë që paraqitën dijen, e në ndonjë rast edhe guximin, por kjo parti nuk arriti t’i ketë në Kuvend as njerëzit kryesorë të saj.

Limaj pak mbi prag

Në një koalicion të papritur me AKR-në e Behgjet Pacollit, dyshja ka marrë rezultat shokues zgjedhor, për një muaj ishte nën ethe nëse do të arrinte të hyjë në Kuvend, por në fund me vetëm 5.02 për qind të votave e pas anulimit të atyre të ardhura nga Serbia, arriti të sigurojë një vend në Kuvend.

Rezultatet megjithatë, arritën të certifikohen më 27 nëntor, pas një muaj e gjysmë që kur ishin mbajtur zgjedhje dhe pas një proces të gjatë numërimi e rinumërimesh, nga ku u shkel edhe ligji i zgjedhjeve.

Negociatat LVV-LDK

Kosova e mbylli 2019-n pa qeveri, ani se zgjedhjet u zhvilluan në vjeshtë.

Bisedimet e nisur për një koalicion të mundshëm mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, që në ditën e parë pas zgjedhjeve rezultuan të kota.

Kjo, pasi partnerët të cilët edhe pse për më shumë se 80 ditë, e hartuan strategjinë për qeverisje, i zvogëluan edhe numrin e ministrive, por kur vendosen të ndahen postet, ngecën.

Posti i Presidentit dhe Ministria e Punëve të Brendshme ishin mollë sherri.

LDK-ja dhe Vetëvendosje ishin marrë vesh për një ndarje të barabartë të dikastereve ministrore, por që lufta ishte se kush do të bëhej president në prillin e 2021-s.

LDK-ja e donte me patjetër postin e të parit të shtetit, Vetëvendosje insistonte që nëse e merr atë, do të duhej të hiqte dorë nga Ministria e Brendshme.

Këto mospajtime, bënë që me 26 dhjetor në seancën konstitutive të shkohej pa një marrëveshje mes partive.

LDK-ja doli me një tjetër propozim, më 26 dhjetor pak orë para konstituimit të Kuvendit, Isa Mustafa ofroi votat e deputetëve të LDK-së, pa asnjë kusht, duke i thënë VV-së ta bëjë e vetme qeverinë.

Ideja e LDK-së, nuk qe befasia e fundit e 26 dhjetorit, ditës së betimit të deputetëve të legjislaturës VII.

Kur askush nuk e dinte mbarëvajtjen e seancës, nga foltorja e Kuvendit Albin Kurti propozoi për Kryetar të Kuvendin, krahun e tij të djathtë Glauk Konjufcën.

Pa marrëveshje paraprake e më votat e LDK-së, Vetëvendosje mori udhëheqjen e Kuvendit me çka nisi punën ky institucion.

Ndonëse i dha votat i befasuar nga ky propozim mbeten e gjithë LDK-ja dhe kreu i saj, Isa Mustafa.

Pa kaluar 24 orë, Presidenti i Kosovës hyri në lojë.

Ai i dërgoi një ftesë për ta takuar njeriun që i takonte mandatari i Qeverisë Albin Kurtin. Por takimi befasisht duhej të ndodhte brenda 3 orësh.

Vetëvendosje tha se kreu i saj ndodhet jashtë Prishtinës.

Hashim Thaçi nuk u dorëzua, i ngutej të jepte dekretin për mandatarin e qeverisë, dhe kështu dërgoi ftesën e dytë për ta takuar kundërshtarin më madh të tij politik, mbrëmjen e 29 dhjetorit.

Kësaj radhe ftesës iu përgjigj vetë Kurti, në një letër të shkurtër e fjali tipike të shkruara nga ai.

I tha se nuk ishte në Kosovë, se për t’u takuar me të do të takohej, por se një ditë tjetër, e deri atëherë do t’i shqyrtonte nenet kushtetuese në të cilat ishte bazuar presidenti kur e kishte dërguar ftesën.

Por në mbrëmje ai cakërroi gotat me gazetarët, po në Prishtinë në ndenjën e fundvitit.

Thaçi megjithatë nuk u dorëzua as pas këtij refuzimi dhe Kurtin e ftoi përsëri që ta takojë në ditën e fundit të vitit 2019. Ai, i vendosur i tha se nuk e takon dot në këtë vit dhe se 2020-ta pritet të nis pikërisht me shtrëngimin e parë duarsh të pretendentit për kryeministër, Albin Kurti e Presidentit Hashim Thaçi.