Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova anëtarësohet në koalicionin global për drejtësi

Kosova është anëtarësuar në Justice Action Coalition, duke iu bashkuar kështu Shteteve të Bashkuara dhe një grupi të shteteve tjera demokratike që synojnë ta promovojnë kolektivisht drejtësinë e përqendruar tek qytetarët në të gjitha nivelet, ka njoftuar Presidenca.

“Përmes këtij koalicioni, Republika e Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e strategjive dhe prioriteteve ndërkombëtare të cilat kanë për qëllim qasjen e barabartë në drejtësi për të gjithë”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani.

Kosova përgjatë vitit të kaluar ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet e Samitit për Demokraci, të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.

Për shkak të këtij suksesi, Presidenca ka thënë se si institucion udhëheqës në Kosovë, në kuadër të Samitit për Demokraci, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkudhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit.