Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosnetti viziton Policinë në veri, konfirmon mbështetjen e SHBA-së

Foto: Policia e Kosovës

Ambasadori SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, ka konfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Policinë e Kosovës gjatë një vizite që ai pati sot në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut.

Kosnett së bashku me drejtorin e Departamentit për Hetime, Riza Shillova, dhe zyrtarë të ICITAP-it amerikan, u priten nga drejtori i Drejtorisë Rajonale Nenad Gjuriq, transmeton Koha.net.

Sipas një njoftimi për medie të PK-së, gjatë vizitës u diskutuan tema që ndërlidheshin me sigurinë e përgjithshme në veri, luftën kundër të gjitha llojeve të krimit, ngritjen dhe forcimin e integritetit dhe kapaciteteve policore, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare.

Në njoftim thuhet se Kosnetti dhe Shillova vlerësuan lart punën dhe përpjekjet e vazhdueshme që zyrtarët e kësaj drejtorie po bëjnë për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe njëkohësisht inkurajuan ata që të angazhohen edhe më shumë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, me qëllim të krijimit të një klime më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallime.

Kosnett gjatë vizitës ka konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Amerikës ndaj Policisë së Kosovës dhe drejtorive rajonale, veçanërisht në lidhje me fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Ndërkaq drejtori i Departamentit të Hetimeve, Shillova, i siguroi drejtuesit e DRP-Mitrovicë Veri, se stafi menaxherial i PK-së do t’i përkrahë dhe do t’i mbështesë në vazhdimësi me të gjitha kapacitetet policore