Aeroplani i dërguar nga Turqia për evakuimin e shtetasve të saj dhe shtetasve të vendeve të tjera të afërta, përfshirë edhe një shtetas të Shqipërisë, është nisur sërish për në Turqi nga qyteti Wuhan i Kinës.
Ndonëse fillimisht ishin identifikuar 48 persona për t’u kthyer në vendet e tyre të lindjes, ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter lidhur me evakuimin e qytetarëve nga Kina për shkak të koronavirusit, tha se “në aeroplan kanë hipur gjithsej 42 persona pasi 6 të tjerë me vetëdëshirë kanë kërkuar të mos kthehen në Turqi”, raporton Koha.net.
Ai tha se në aeroplanin evakuues shumica janë shtetas turq, por ka edhe shtetas nga Shqipëria, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia.
“Aeroplani ynë i evakuimit u ngrit nga qyteti Wuhan”, tha Koca. “Për shkak se 6 persona me vetëdëshirë kanë kërkuar të mos kthehen në Turqi, në aeroplan kanë hipur gjithsej 42 persona. Gjatë kontrollit shëndetësor, nuk janë vërejtur simptoma tek asnjëri prej udhëtarëve”.
Kujtojmë se shteti turk nisi një aeroplan transportues mallrash drejt Kinës për të transportuar qytetarët e saj dhe të vendeve të tjera të afërta, përfshirë një shtetas të Shqipërisë, nga qyteti kinez Wuhan ku muajin e kaluar u shfaq për herë të parë koronavirusi.
Në njoftimin e fundit të autoriteteve shëndetësore në Kinë, bërë të shtunën, raportohet se 259 persona kanë vdekur si pasojë e virusit.
-
Turqia thotë se asnjë nga të evakuuarit nuk bartin simptoma të koronavirusit
-
Turqia liron nga karantina 42 të evakuuarit nga Kina, përfshirë shtetasen shqiptare
-
Në Kinë 48 raste të reja me koronavirus, të gjithë të kthyer nga jashtë
-
Nëntë të vdekur në Turqi nga koronavirusi, 670 të infektuar
-
Shënohet viktima e parë e koronavirusit në Turqi