Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kontestohet votimi i raundit të dytë për zgjedhjen e rektorit të UPZ-së

Rregullsia e raundit të dytë të votimit për zgjedhjen e rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren po kontestohet nga një pjesë e anëtarëve të Këshillit Drejtues të këtij universiteti. Tre nga shtatë anëtarët e këtij Këshilli nuk kanë marrë pjesë në votimin e raundit të dytë, ku në garë për rektor kanë qenë prof.dr. Ramë Vataj dhe prof.dr. Ismet Temaj.

Ky i fundit, në raundin e dytë ka marrë katër vota, derisa rektori aktual Vataj nuk ka marrë asnjë votë. Përderisa një pjesë e KD-së konsideron se Temaj e ka marrë mandatin e rektorit, pjesa tjetër e këtij këshilli thekson se procesi i votimit në raundin e dytë ka qenë inekzistent meqë nuk ka pasur kuorum. Ndërkohë në statutin e UPZ-së shkruan se rektori zgjidhet me dy të tretat e votave të numrit të anëtarëve të KD-së.

Artan Nimani, njëri prej tre anëtarëve të KD-së që nuk ka marrë pjesë në raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e rektorit të UPZ-së ka pohuar se procesi zgjedhor në këtë universitet ka qenë i rregullt deri në ditën e martë. Ai ka shpjeguar se fillimisht kanë qenë 5 kandidatë që kanë aplikuar për pozitën e rektorit dhe se Komisioni profesional i ka sjellë emrat e 4 profesorëve, të cilët janë intervistuar të martën nga KD-ja.

(Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)