Presidentja Vjosa Osmani u ka kërkuar partive politike që të propozojnë përfaqësuesit e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por deri tani jo të gjitha partitë i janë përgjigjur kësaj kërkese. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përbërja e re e KQZ-së duhet të plotësohet më së largu deri më 23 mars. Njohësit e procesit paralajmërojnë se vonesat mund të krijojnë vështirësi në përgatitje, në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të reja pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Në ditët e fundit të afatit ligjor, presidentja Vjosa Osmani u ka kërkuar partive politike që t’i bëjnë propozimet për përfaqësuesit e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Vetëm disa nga partitë i janë përgjigjur kërkesës së Osmanit, e cila ka pasur afat ligjor deri të mërkurën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Presidenti i Republikës së Kosovës, bazuar në rezultatet që kanë dalë nga zgjedhjet e përgjithshme, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, u kërkon grupeve parlamentare/subjekteve politike që të propozojnë me shkrim kandidatët për anëtarë të KQZ-së”, thuhet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Sipas ligjit, mandati i anëtarëve të KQZ-së është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor dhe fillon jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend.
Në AAK kanë thënë se edhe për një mandat kanë propozuar Muharrem Nitajn.
“Kemi pranuar shkresën nga Presidenca për propozimin e Aleancës për anëtar të KQZ-së, ndërsa propozimi i Aleancës është z. Muharrem Nitaj”.
Në Vetëvendosje nuk kanë dhënë detaje se kush do të jenë përfaqësuesit e saj në KQZ, ndonëse për shkak të tri mandateve rresht, Sami Kurteshi nuk do të jetë më përfaqësues i saj në këtë mandat.
“Po procesi është në vijim. Besoj së shpejti publikohen të gjitha hollësitë qoftë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! qoftë nga institucionet relevante. Pas çdo procesi zgjedhor, emërohen anëtarët e KQZ-së sipas fuqisë politike të subjekteve”, është thënë nga LVV-ja.
As në PDK nuk i kanë treguar emrat, por kanë njoftuar se i kanë nisur konsultimet brenda strukturave të partisë dhe brenda afateve do t’i përgjigjen presidentes.
“Synimi ynë është që në këtë institucion të rëndësishëm të propozojmë njerëz të përgjegjshëm dhe kredibilë, që kontribuojnë në ruajtjen e standardeve demokratike dhe në integritetin e proceseve zgjedhore në vend”.
Ato parti që nuk i kanë dërguar emrat e kandidatëve për emërim te presidentja kanë kohë 7 ditë nga dita e pranimit të kërkesës që t’i përgjigjen asaj e më pas presidentja ka kohë 5 ditë që t’i emërojë ata.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, nëse partitë dhe presidentja respektojnë afatet ligjore, përbërja e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të kompletohet më së largu deri më 23 mars.
Por, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se presidentja nuk është dashur t’i presë ditët e fundit të afatit ligjor, meqë, sipas tij, kjo bart rrezikun që në rast të shkuarjes në zgjedhje pas 31 marsit, për çështje teknike administrative KQZ-ja të mos kompletohet.
“Duhet të shihen dy elemente: nëse partitë do t’i dërgojnë emrat në kohë dhe së dyti nëse presidentja do t’i aprovojë të njëjtit si të tillë, meqenëse ajo ka në diskrecion që të mos e pranojë ndonjë nga kandidaturat në bazë të vlerësimit të saj mbi përshtatshmërinë ligjore me kriteret aty. Në një situatë të tillë, do të fillonin të rrjedhin afate të tjera të cilat mund ta vonojnë procedurën përtej afatit 31 mars, e që normalisht në vetvete pastaj përbën rrezik tepër serioz që KQZ-ja të mbetet pa mandat të plotë ose me mandat të anëtarëve të cilët nuk përfaqësojnë legjitimitetin e partive politike në fjalë”, ka theksuar Cakolli.
Një nga arsyet se pse kjo përbërje është dashur të kompletohet menjëherë pas fillimit të rrjedhjes së afatit, Cakolli thotë se është edhe njohja e anëtarëve të rinj me procedurat e institucionit që administron me zgjedhjet.
“Normalisht sa më e re që të jetë përbërja, ndonëse mund të shihet në aspektin pozitiv si sjellje e një energjie të re, në kontekst të administrimit të zgjedhjeve eventuale, në rast se të njëjtat shpallen pas aktgjykimit të gjykatës, atëherë kjo normalisht bart në vete rrezikun që këta anëtarë të mos jenë mjaftueshëm të mirinformuar mbi procedurat në radhë të parë në KQZ, rolin e tyre e mbi të gjitha mbi operacionet zgjedhore”, ka thënë Cakolli.
Në Presidencë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS se kur do t’i bëjë emërimet e anëtarëve të KQZ-së.