Konsullata e Kosovës në Frankfurt prej vitit të kaluar është vendosur në objektin i cili ofron shërbime hoteliere. Përveç zyrave në katin e 14-të, para Konsullatës nuk është i vendosur asnjë simbol i shtetit të Kosovës, megjithëse këtë e kërkojnë ligjet në fuqi. Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka ofruar sqarime se si ka ardhur deri te vendimi që Konsullata të vendoset në një objekt hotelier, as shumën e qirasë që paguhet për të
Bashkëjeton në objektin e njëjtë me hotelin më të njohur në Frankfurt, por nuk ofron shërbime hoteliere. Është kjo Konsullata e Kosovës e vendosur në katin e 14-të të ndërtesës ku ndodhet hoteli “Marriott”. Vendosja e Konsullatës në një objekt të paprecedentë për misionet konsullore u ka shkaktuar vështirësi qytetarëve kosovarë që kërkojnë shërbime aty.
Para Konsullatës nuk janë vendosur as simbolet e shtetit të Kosovës, megjithëse këtë e kërkojnë ligjet në fuqi. Kjo konfirmohet edhe nga fotot para hyrjes së Konsullatës.
Sipas ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore, flamuri dhe stema shtetërore gjithmonë vendosen në ndërtesat e përfaqësive të Republikës së Kosovës jashtë shtetit dhe në mjetet e transportit.
“7.1 Flamuri shtetëror gjithmonë vendoset: c) në ndërtesat e përfaqësive të Republikës së Kosovës jashtë shtetit dhe në mjetet e transportit, të cilat i përdor udhëheqësi i përfaqësisë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, në përputhje me dispozitat ndërkombëtare, në të cilin është përfaqësia, përkatësisht në përputhje me rregullat dhe praktikat e organizatës ndërkombëtare, pranë së cilës është përfaqësia; dhe d) gjatë festave zyrtare të Republikës së Kosovës”, thotë ligji.
Madje, ligji parasheh edhe gjobë 500 deri 1000 euro në rast se personi juridik nuk i përdor stemën apo flamurin kur përdorimi është i detyrueshëm.
“Me gjobë prej 500 – 1000 euro do të ndëshkohet personi juridik në rast se: a) e përdor stemën apo flamurin në kundërshtim me paragrafin 3 të nenit 2 të këtij ligji; b) e përdor stemën apo flamurin në formë apo përmbajtje, e cila nuk është përcaktuar me këtë ligj, si dhe me dispozitat ligjore në fuqi; c) në vend publik shpalos stemën apo flamurin të vjetruara, në formë të parregullt, të dëmtuara apo në ndonjë mënyrë tjetër të dëmtuar; d) nuk përdor stemën apo flamurin kur përdorimi është i detyrueshëm; e) ekzekutimin e himnit të Republikës së Kosovës në kundërshtim me paragrafin 6 të nenit 15 të këtij ligji dhe dispozitave ligjore në fuqi”.
Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka ofruar sqarime se si ka ardhur deri te vendimi që Konsullata të vendoset në një objekt hotelier, as shumën e qirasë që paguhet për të.
Po ashtu, ekziston një rregullore për procedurat e blerjes dhe marrjes me qira të objektit për Misione Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës.
Kontratat për marrje me qira të objektit për banim nënshkruhen nga shefi i misionit diplomatik ose konsullor dhe nga përfaqësuesi diplomatik ose konsullor (shfrytëzuesi). Kohën kur Konsullata është zhvendosur në këtë objekt, shefe ka qenë Fatmire Musliu. As ajo nuk ka ofruar përgjigje.
“3. Komisioni profesional për blerjen e objekteve për mision diplomatik ose konsullor është kompetent për identifikimin e objekteve të përshtatshme për ambasada, zhvillimin e negociatave dhe përzgjedhjen finale të objektit”, thotë rregullorja.
Mbështetur në informatat që ka siguruar KOHA, Konsullata nuk ka qasje as në kamerat e sigurisë dhe shërbimet e teknologjisë informative.
KOHA ka pyetur menaxhmentin e hotelit për raportin që kanë me Konsullatën e Kosovës.
“Konsullata e Kosovës në Frankfurt nuk është e vendosur në hotelin tonë, as nuk na përket neve dhe as nuk kemi qasje në kamera. Konsullata është e vendosur në të njëjtën ndërtesë me hotelin tonë, por duhet të hyni përmes zyrës së “Westend Gate”, e cila ndodhet pranë hyrjes sonë”, thuhet në përgjigjen e menaxhmentit të hotelit.
Sipas shifrave të mëhershme, rreth 5.6 milionë euro në vit paguhet qiraja për objekte ku janë të vendosura konsullatat dhe ambasadat e Kosovës.