Anëtarët e Komisionit Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, i njohur si procesi i vettingut, nga pushteti dhe opozita kanë ofruar mbështetje për këtë proces.
Të martën kur është mbajtur mbledhja konstituive e Komisionit, janë diskutuar hapat që do t’i ndërmarrin, por deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)-së, Doarsa Kica, ka ngritur shqetësime për sigurimin e votës së Listës Serbe që nevojitet për këtë proces.
Sipas saj partitë politike në vend duhet të mendojnë për një formë, për të siguruar edhe votën e Listës Serbe.
“Është edhe elementi tjetër që sa do i dhimbshëm nuk mundemi ta injorojmë në këtë mbledhje e që ka të bëjë me 2/3 absolute të votave sepse amendamentet kushtetuese megjithatë do ta kërkojnë dhe së paku një votë të Listës Serbe, kështu që është tejet e rëndësishme që ta themi publikisht atë që do ta mundësonte që ky proces të jetësohej që është politika në Kosovë, të gjitha partitë politike duhet ta mendojnë një formë se si dhe cilat do të jenë hapat tonë politikë-strategjikë që ne ta sigurojmë atë votë”, ka theksuar ajo, duke shtuar se kjo nuk duhet të bëhet në dëm të asnjë procesi tjetër madhor në vend.
“Duhet ta kemi parasysh që vettingu absolutisht është një ndër proceset më të rëndësishme në sistemin dhe reformën në drejtësi në Kosovë, dhe është e kot të flasim për amendamentet kushtetuese derisa nuk e mendojmë dhe faktin se ne duhet ndërkohë paralelisht të ndërmarrim çdo hap të mundshëm që të sigurojmë votën e që na duhet nga Lista Serbe, që fatkeqësisht na duhet”, ëhstë shprehur Kica.
Kryetari i këtij Komisioni, Kujtim Shala, u shpreh se janë dy hapa që duhet t’i ndërmarrin për të quar tutje procesin e vettingut.
Sipas tij i pari ka të bëjë me amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës, ndërsa hapi i dytë është miratimi i legjislacionit që do të mbështesë ndryshimet kushtetuese të propozuara.
“Hapi i parë përfshinë amendamentin e Kushtetutës së Kosovës pra që është proces thelbësor, dhe hapi i dytë miratimin e legjislacionit që do të mbështetëse ndryshimet kushtetuese që do t’i propozojmë ne. Procesi që do të mundësojë një vetting çfarë ne dëshirojmë janë ndryshimet kushtetuese, sot po diskutoj vetëm hapin e parë dhe do të punojmë këtë që të përmbushim hapin e parë për ta realizuar që nënkupton ndryshimet kushtetuese, pastaj pas kësaj do të merremi me pjesën tjetër që ka të bëjë me legjislacionin”, ka thënë Shala.
Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka theksuar se duhet të fillojnë me hartimin e amendamenteve kushtetuese. Ai propozoi që pas dërgimit të amendamenteve kushtetuese për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të punohet në draftimin e ligjit dhe rishikimit të ligjeve që prek procesi i vettingut.
“Jo vetëm për shkak të kronologjisë së hapave në kuptim procedural e kushtetues por edhe për shkak të produktivitetit të punës së komisionit mendoj se duhet të fillojmë me miratimin, respektivisht me hartimin në komision të amendamenteve kushtetuese që shërbejnë edhe si bazë e etablimit të trupave të vlerësimit kalimtar por edhe si bazë për legjislacionin tjetër plotësues që e jetëson këtë proces”, ka theksuar Rrustemi.
Mbështetje për procesin e vettingut shprehu edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha vettingu është kërkesë e kamotshme e kësaj partie.
“Unë dua të shpreh vlerësimin dhe mbështetjen tonë për një proces të cilin PDK prej kohësh e ka kërkuar që të rifillohet dhe t’i hapet mundësi Kosovës që ta ketë vettingun e sistemit të drejtësisë. Natyrisht, ne do të japim kontributin tonë shpresoj të kemi një punë efikase me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe natyrisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Më 4 shtator të këtij viti, Qeveria e Kosovës ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dosjen e vettingut në drejtësi. / KSP