Për trajtimin e një fëmije me autizëm nevojitet përveç kujdesit dhe përkushtimit të madh edhe mbështetje e qëndrueshme financiare. Sipas familjarëve, një trajtim i duhur më së paku kërkon 400-500 euro në muaj. E në familjet që kanë fëmijë me autizëm, konsiderohet e pamjaftueshme ndihma nga shteti me vetëm 100 euro
Rreth 15 vjet më parë, Fitnete Grabovci-Krasniqi kishte djalin dy vjeç kur kuptoi se ai nuk po zhvillohej njësoi si vajza tjetër binjake.
Ajo tregon për sfidat e mëdha deri te diagnostikimi me autizëm i fëmijës, pasi, siç thotë, ishte diçka e re edhe për vetë mjekët.
Kur janë bërë 18 vjet nga diagnostikimi i të birit, Grabovci-Krasniqi flet për përkushtimin dhe kujdesin e madh që u duhet këtyre fëmijëve, nisur nga sigurimi i asistentëve personalë e dërgimi në qendra për trajtim.
“Ne si familje, mirë e kemi përballu deri tash. Fatmirësisht i kemi kushtet e mira ekonomike. Por ka shumë familje të tjera që thjesht ne themi që nuk munden ‘t’i ngopin me bukë fëmijët e tjetër’ e lëre më të merren me problematikën e fëmijës nëse e kanë me autizëm dhe me nevoja të veçanta. Shteti si shtet për këta persona i ndan në muaj 100 euro, normal shkon përmes komisionit. Ai e vlerëson a ka nevojë ai fëmijë të ketë ndihmë apo jo. Që 100 euro në ditë të sotit janë mjaft pak”, ka thënë ajo.
Fëmijë me autizëm marrin trajtime edhe në shoqata profesionale.
Ndonëse në asnjërën prej tyre nuk kanë të dhëna të sakta për nivel vendi, në shoqatën “Autizimi” thonë se vetëm në degën në Prishtinë numërojnë rreth 70 fëmijë që marrin shërbime terapeutike.
Psikologia Mendime Kosumi tregon se kërkohet një shumë simbolike për terapinë, por thotë se shpesh ka kërkesa për lirim nga pagesa.
“Prindërit në shumicën e rasteve nuk arrijnë t’ia dalin as këtë shumë simbolike që ta mbulojnë dhe zgjedhin që fëmijët e tyre të marrin një trajtim minimal. D.m.th. fëmijët në qendër vijnë një herë, minimumi dy herë në javë dhe maksimumi pesë herë në javë. Por që shumica zgjedhin me pasë një orë ose dy terapi në ditë për shkak të financave dhe vështirësive që t’i mbulojnë këto shpenzime…Meqenëse ky vit ka qenë viti i aftësisë së kufizuar, këtë vit kemi pasur një mbështetje e cila na ka ndihmuar por që fatkeqësisht nuk është e mjaftueshme duke marrë parasysh numrin e tyre që marrin shërbime”, ka thënë Kosumi.
E Klinika e Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve është vendi ku bëhet diagnostikimi i rasteve. Mirëpo as këtu nuk ka statistika për fëmijët me autizëm, pasi mungon sistemi elektronik për regjistrimin e pacientëve.
Psikiatria Afërdita Goqi thotë se në katër vjetët e fundit janë të regjistruar rreth 700 raste, porse ky numër, sipas saj, nuk paraqet as për së afërmi gjendjen reale, pasi kjo shifër mund të përmbajë pacientë të regjistruar disa herë.
“Duke marrë parasysh fluksin ose rastet që i kemi këtu, realisht për trajtim të mirëfilltë të fëmijëve me autizëm nuk kemi hapësirë. D.m.th. nuk kemi kapacitete as humane, por as në aspektin e hapësirës. Prandaj është shumë me rëndësi me ekzistu një institucion i veçantë, publik është fjala, jo privat, se privat ekzistojnë, por jo që do t’i mbulonte nevojat edhe ai institucion. Megjithatë, është me rëndësi me qenë një institucion në të cilin trajtohen fëmijët me autizëm dhe ku është një ekip multidisiplinar për faktin se psikiatri merret kryesisht me diagnostikim dhe me psikoedukim”, ka thënë Goçi.
Për numrin e pacientëve me autizëm është pyetur edhe Ministria e Shëndetësisë. Por ky institucion nuk ka dhënë asnjë shifër.
“Bazuar në Kalendarin e aktiviteteve- viti 2022 i personave me aftësi të kufizuara në Kosovë i shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Shëndetësisë ka formuar grupin punues dhe është në proces të hartimit të formulës së financimit për shërbime për personat me aftësi të kufizuar, ku pjesë e këtij grupi janë edhe OJQ që merren më të drejtat e autizmit. Qendrat për fëmijët me autizem nuk veprojnë në kuadër të institucioneve shëndetësorë, megjithatë është trajtuar mundësi me shoqatat përkatëse për gjetjen e mundësive që brenda institucioneve shëndetësorë të krijohet hapësirë për mbajtjen e seancave për lehtësim të simptomave për fëmijët e kësaj kategorie”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
E në qendrën ‘Autizmi Flet’ thanë se kanë të regjistruar 20 fëmijë, kurse në Asociacionin Nacional të Autizmit, 45 fëmijë.