Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konkursi për doktoraturë në Juridik mund të anulohet si pasojë e shkeljeve të shumta

Mbi dhjetë studentë, kandidatë për Doktoraturë në Fakultetin Juridik, mund t’i nënshtrohen që nga fillimi procedurave për aplikim, pasi konkursi për vitin 2019-2020 mund të anulohet.

Komisioni për pranimin e studentëve ka kërkuar nga Senati i Universitetit të Prishtinës anulimin dhe rishpalljen e tij, me arsyetimin se ka pasur pengesa procedurale, tejkalim të afateve procedurale dhe mungesë të kuorumit, raporton KTV.

Kryetarja e këtij komisioni, Iliriana Islami, dhe dekani i fakultetit, Haxhi Gashi, nuk kanë dashur të flasin para kamerës, por kanë kërkuar që të merret si përgjigje raporti i komisionit.

E, në këtë raport, një ndër arsyet për anulimin e konkursit është dorëheqja e profesorit Visar Morina.

Morina ka thënë për KTV-në se u tërhoq nga komisioni pasi kishte konsideruar se përbën konflikt interesi me njërin nga kandidatët, e që, sipas tij, nuk mund ta dinte paraprakisht se i njëjti person do të kandidonte.

“Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit dhe sqarimit të situatave të tilla, kur konkurrojnë kandidatë të afërt si mësimdhënës në programet ku kanë konkurruar, dekani i Fakultetit ka dërguar shkresë në Agjencinë Kundër Korrupsion për të sqaruar konfliktin e interesit në raste të tilla. Përgjigjja ende nuk është kthyer nga Agjencia. Për shkak të ndryshimeve në Komision, në ndërkohë, Enver Hasani nga Katedra Ndërkombëtare, deklaroi dorëheqjen e parevokueshme, pasi që ndryshimet në komisione po zhvillohen pasi ka filluar zbatimi i konkursit”, thuhet ndër të tjera në raportin e Komisionit.

Edhe Shtyhet provimi pranues për doktoratë, dyshime për konflikt interesi Arbëri Shtyhet provimi pranues për doktoratë, dyshime për konflikt interesi

Kjo ka shkaktuar pakënaqësi te kandidatët, disa prej të cilëve në kushte anonimiteti kanë thënë për televizionin se është e papranueshme të kalojnë procedurat e njëjta sërish.

Në Rektoratin e UP-së kanë konfirmuar të kenë pranuar raportin dhe kërkesën për rishpalljen e këtij konkursi.

Prorektori Hysen Bytyqi ka thënë se raporti do të shqyrtohet nga rektori dhe Senati, i cili edhe do të vendosë për konkursin.