Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konjufca: Ish-pjesëtarët e UÇK-së në Hagë, të shqetësuar me shkeljet në procedura

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, janë të shqetësuar se po bëhen shkelje gjatë procedurave nga Gjykata Speciale.

Duke folur të martën për vizitën që zhvilloi në Hagë ditë më parë, ku takoi Thaçin, Veselin, Selimin, Krasniqin, Haradinajn e Gucatin, Konjufca ka thënë se ata janë mirë me shëndet, mirëpo kanë vërejtje se nuk ka mekanizëm ku t’i paraqesin shkeljet që ndodhin.

“Vizitova Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi, Haradinajn dhe Gucatin. Të gjithë janë mirë me shëndet, janë shumë të fortë me vullnet. Shqetësimi i tyre dhe i mbrojtjes së tyre është që pretendohet për disa shkelje, që po bëhen edhe nëpër procedura për të cilat absolutisht nuk po ka kurrfarë mekanizmi të ankesës dhe i cili shqyrton këto shkelje kur ndodhin”, ka thënë Konjufca, pas vizitës që i bëri të martën Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Sipas tij, Gjykata Speciale është absolutiste, e cila nuk haset askund në botë.

“Është një gjykatë absolutiste, nuk i jep llogari askujt. Kjo gjykatë për të qenë e ndershme, në përputhje me drejtësinë ka nevojë për një mekanizëm të kontrollit dhe të llogaridhënies”, është shprehur Konjufca.

Ai tha se nëse ndodh që të konfirmohet aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, do të dëmtohet UÇK-ja në tërësi dhe po ashtu bazat e shtetndërtimit të Kosovës.