Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Abdixhiku e Osmani takojnë kongresistin Self: Diskutuam për thellim të partneritetit

1 muaj më parë / 26 maj 2026 22:48
Vjosa dhe Lumiri

Kongresistin republikan, Keith Self, e kanë takuar kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku dhe ish-presidentja Vjosa Osmani.

Në takim, Abdixhiku dhe Osmani kanë deklaruar se e kanë falënderuar për qëndrimin e tij pro sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës e anëtarësimin në NATO. Gjithashtu, në takim, deklaruan se kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit me administratën Trump.

“Në takimin tonë të përbashkët e falënderuam për qëndrimin e tij të qartë pro sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, anëtarësimit tonë në NATO dhe fuqizimit të paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Diskutuam për bashkëpunimin tonë të ngushtë me administratën Trump dhe mundësitë e jashtëzakonshme për thellimin e këtij partneriteti”, thuhet në postimin në Facebook.

Kongresistët amerikanë Keith Self e Suhas Subramanyam, të mërkurën do të priten nga ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu nga ora 11:15 dhe më pas nga kryeministri në detyrë Albin Kurti nga ora 11:50.


 

Delegacioni i kongresistëve arrin në Kosovë, pritet nga Prattipati në Bondsteel

1 muaj më parë / 26 maj 2026 17:37
Kongres

Delegacioni i kongresistëve amerikanë, i drejtuar nga republikani Keith Self, ka arritur në Kosovë. 
Delegacioni ka kaluar pasditen në kampin Bondsteel ndërsa është pritur nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati. 

“E ngarkuara me punë, Anu Prattipati, mirëpriti një delegacion të Kongresit amerikan, të udhëhequr nga kongresisti Keith Self, në Kosovë. Delegacioni kaloi pasditen në Kampin Bondsteel, ku u takua me ushtarët e përkushtuar të Komandës Rajonale-Lindje të KFOR-it dhe Grupit Mbështetës për Ballkanin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Delegacioni të martën paradite vizitoi Luginën e Preshevës, para se të arrinte në Kosovë. 

Kryetari i komitetit për punë të jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Keith Self dhe anëtari i nënkomitetit për Ushtri dhe Punë të Jashtme në këtë institucion, Suhas Subramanyam, po zhvillojnë vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor. 

Dy kongresistët të hënën kanë qëndruar në Bosnjë-Hercegovinë e më pas e kanë vazhduar në Serbi, ndërsa sot do të martën vizituan Preshevën, e më pas edhe Kosovën.

Kongresisti Self ka përkrahur një projektligj që i kërkon sekretarit amerikan të Shtetit ta përgatisë një raport gjithëpërfshirës me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës. 

Kongresisti republikan Self, bashkë me kolegun demokrat Subramanyam, është sponsorizues edhe i rezolutës që përkrah anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Në rezolutë thuhet se anëtarësimi i Kosovës në aleancë është thelbësor në ballafaqim me ndikimin e kundërshtarëve të SHBA-së në Evropë. 

Në të theksohet po ashtu se SHBA-ja duhet t’i nxisë shtetet si Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja t’i ndryshojnë qëndrimet e tyre për ta mundësuar anëtarësimin e Kosovës në aleancë.

Delegacioni i kongresistëve amerikanë të mërkurën nga ora 11:15 do të pritet nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu. 

 

Kongresistë amerikanë konstatojnë në Preshevë probleme reale me të cilat përballen shqiptarët

1 muaj më parë / 26 maj 2026 13:07 Nga: Donisa Fazliu
kongresistet amerikane

Probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë tashmë janë të njohura, ka thënë kongresisti amerikan nga radhët e Republikanëve, Keith Self, gjatë vizitës që i ka bërë Luginës së Preshevës.

Deklarimin e bëri pas takimit me përfaqësues të shqiptarëve në këtë pjesë.

“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, tha Self. 

E kongresisti nga radhët e Demokratëve, Suhas Subramanyam, përmendi sistemin arsimor dhe zhvillimin e pabarabartë për shqiptarët në Serbi si një nga problemet kryesore të të drejtave të pakicave.

Ndërkaq, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha se vizita është tregues se shkeljet që i bën Serbia në Luginë, tashmë kanë marrë vëmendje ndërkombëtare.

“Përshtypja jonë nga ky takim është jashtëzakonisht pozitive, ku kongresmenë kanë treguar interesim të madh, kanë kërkuar detaje konkrete për shumë çështje që i prekëm gjatë diskutimeve. Kjo na jep shpresë se zëri i shqiptarëve të Luginës po dëgjohet edhe më shumë vendimmarrëse ndërkombëtare përtej Atlantikut”, tha Sinani. 

Sinani tha se gjatë takimit, kongresistët u informuan në detaje për diskriminimin e shqiptarëve të Luginës.

“Gjatë takimeve ne kemi diskutuar hapur edhe për problemet kryesore të cilat po përballen shqiptarët e Luginës, si diskriminimi institucional, pasivizimi i adresave apo mosnjohja e diplomave të Republikës së Kosovës, shkalla e lartë e papunësisë, shpërngulja e të rinjve, mos zbatimi i marrëveshjes të arritura dhe bllokimi i mjeteve të fondit të Republikës së Kosovës, nga ana e Serbisë për mbështetjen e shqiptarëve”, tha ajo. 

E deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës

“Për vite me radhë, pushteti në Serbi ka ndërtuar një qasje sistematike të margjinalizimit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë: pasivizim administrativ të adresave për të zvogëluar artificialisht praninë shqiptare, përjashtim nga institucionet shtetërore, diskriminim ekonomik, moszhvillim të qëllimshëm dhe mohimin e të drejtave elementare kombëtare e gjuhësore si të drejta identitare”, tha Kamberi. 

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, tha se nëpërmjet një shembulli është ilustruar para kongresistëve mësymja e Serbisë për ta shpopulluar Luginën nga shqiptarët.

“Në këtë takim patëm të ftuar edhe Teuta Fazliun, shqiptaren e pasivizuar nga Bujanoci, e cila rastin e saj e ka dërguar deri në Gjykatën e Strasburgut. Kongresmenët patën mundësinë që nga ajo personalisht të dëgjojnë shembuj konkretë se si pasivizimi i adresave po i selekton veçanërisht shqiptarët”, tha Rexhepi. 

Kamberi takon kongresistët amerikanë, kërkon barazi për shqiptarët në Luginë

1 muaj më parë / 26 maj 2026 12:37
Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, bashkë me kryesuesin e Këshillit Kombëtar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, kanë zhvilluar një takim me kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Preshevë. 

Kamberi në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se takimi paraqet një moment me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Luginës dhe për vetë perspektivën demokratike të rajonit. 

Ai ka thënë se në takim kanë ngritur zërin për politikat diskriminuese dhe përjashtuese të Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve të Luginës.

Kamberi ka shkruar se ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky dualizëm politik e moral, Kamberi ka thënë se nuk mund të vazhdojë pafundësisht.

“Bashkë me kryetarin e Këshillit kombëtarë, Enkel Rexhepi, kemi ngritur zërin kundër kësaj politike diskriminuese, duke kërkuar barazi reale, përfaqësim proporcional dhe respektim të marrëveshjeve të nënshkruara. Fatkeqësisht, regjimi aktual në Beograd vazhdon të trajtojë shqiptarët si problem politik e jo si qytetarë të barabartë”, ka shkruar Kamberi.  

Ai ka vlerësuar lartë iniciatiën e kongresistit Self për Projektligjin që i kërkon që Departamentit Amerikan të Shtetit të hartojë një raport zyrtar mbi trajtimin e shqiptarëve dhe pakicave të tjera etnike në Serbi, me fokus të veçantë në Luginën e Preshevës. 

“Prandaj, angazhimi amerikan dhe iniciativa për Ligjin HR 6411 në Kongresin Amerikan janë me rëndësi të jashtëzakonshme. Ky ligj nuk është vetëm mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës; ai është një mesazh i qartë se diskriminimi, autoritarizmi dhe standardet e dyfishta nuk mund të jenë pjesë e së ardhmes evropiane të Serbisë”, ka shkruar Kamberi.

Ai ka thënë se për vite me radhë, pushteti në Serbi ka ndërtuar një qasje sistematike të margjinalizimit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me siç ka thënë, pasivizim administrativ të adresave për të zvogëluar artificialisht praninë shqiptare, përjashtim nga institucionet shtetërore, diskriminim ekonomik, moszhvillim të qëllimshëm dhe mohimin e të drejtave elementare kombëtare e gjuhësore si të drejta identitare.

“Heshtja ndaj padrejtësive në Luginën e Preshevës vetëm sa e forcon pasigurinë, emigrimin dhe destabilitetin afatgjatë në rajon. Shqiptarët e Luginës së Preshevës mbeten të përkushtuar ndaj paqes, bashkëjetesës dhe orientimit euro-atlantik. Por pa barazi reale, pa zhvillim ekonomik dhe pa respektim të marrëveshjeve të arritura, vazhdon rreziku i zbrazjes demografike dhe i destabilizimit dhe i humbjes së besimit në institucionet ndërkombëtare. Në Presheva sot nuk kemi folur vetëm për problemet e saj por edhe për nevojën që Ballkani Perëndimor të ndërtohet mbi drejtësi, barazi dhe standarde të njëjta për të gjithë qytetarët. Simetria në të drejta është koncepti politik që garanton paqe afatgjate. Koha e standardeve të dyfishta duhet të marrë fund”, ka shkruar Kamberi.

Kongresistët Self dhe Subramanyam sot do ta vizitojnë edhe Kosovën.