Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konfirmohen dy raste me variantin Delta në Kosovë

Janë konfirmuar dy raste me variantin Delta të koronavirusit në Kosovë, variant që së pari është zbuluar në Indi. 

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë. Nga 22 mostra sa janë testuar në Institutin e Virologjisë në Klinikën Universitare Charite në Berlin, dy kanë rezultuar me variantin Delta. MSH-ja ka njoftuar se personat kanë shfaqur simptoma, por janë shëruar tashmë e gjenden në shtëpi. 

“Sot kemi pranuar të dhënat nga 22 mostrat pozitive të dërguara në Institutin e Virologjisë të Klinikës Unversitare Charite në Berlin, prej të cilave janë identifikuar 2 (dy) mostra me variantin Delta (B.1.617.2) të SARS-CoV-2. Të dy rastet kanë shfaqur simptoma, mirëpo tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi. Izolimi i tyre ka përfunduar. Ekipet e IKSHPK-së tashmë kanë gjurmuar të gjitha burimet dhe kontaktet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Varianti Delta po vlerësohet më ngjitës dhe nëpër botë kanë filluar të përhapen raste me variantin e ri.

“Varianti Delta u detektua për herë të parë në Indi në dhjetor të vitit 2020, i cili sot është njëri prej varianteve më brengosës në rruzullin tokësor. Hulumtimet e gjertanishme sugjerojnë se mund të jetë varianti që përhapet më së shpejti edhe më ngjitës sesa Alpha (U.K/B.1.1.7). Masat parandaluese janë të njëjta. Individët të cilët rezultojnë pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit. IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 dhe zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet nga MSH.

MSH ka bërë thirrje të evitohen grumbullimet, të testohen qytetarët që kanë simptome, e të mbahen maskat si dhe të shmangen turmat në hapësira të mbyllura.