Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konfindustria e shqetësuar me uljen e Shqipërisë në raportin e fundit të të bërit biznes

Konfindustria shpreh shqetësimin për uljen e ndjeshme të Shqipërisë në raportin e fundit të “Doing Business” për vitin 2018. Shqipëria ka humbur 19 pikë krahas vitit pararendës në klasifikimin e përgjithshëm botëror, që vlerëson mjedisin e të bërit biznes, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Konfindustria vlerëson, se mbështetur në të dhënat e raportit të plotë të “Doing Business”, rënia e fortë është e lidhur para së gjithash me rritjen e shpejtë të vendeve të tjera dhe para së gjithash vendeve konkurrente të Rajonit, transmeton Koha.net.

“Shqipëria është në vend të parafundit, duke lënë prapa vetëm Bosnje-Hercegovinën e paqeverisur, por e ndarë praktikisht në 3 shtete. Treguesi i mësipërm është shenjë e qartë, se Shqipëria ka mbetur prapa në garën e konkurrencës me vendet e tjera në tërheqjen e investimeve të vendit dhe të huaja”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se treguesit zyrtarë makroekonomikë për 9-mujorit të vitit 2019 mbështesin përfundimet e “Doing Business” dhe flasin, se gjendja do të jetë e vështirë edhe për vitin në vazhdim.

“Rënia me pothuaj 50% të të ardhurave buxhetore nga TVSH/tatimi mbi vlerën e shtuar si zëri kryesor buxhetor dhe rënia e kahut të rritjes ekonomike PBB në gjysmën e parashikimit vjetor, janë tregues të qartë për vazhdimësinë e gjendjes së vështirë ekonomike. Rritja ekonomike prej vetëm 2.2% e PBB në 6 mujorin e parë të vitit 2019 rrezikon të kapi me shpejtësi vlerën e vitit 2013 pas krizës globale financiare, që konsiderohet më e ulëta e 20 viteve të fundit. Gjendja paraqitet mjaft më e vështirë, nëse vlerësojmë se borxhi publik është të paktën 10% më i lart, pa llogaritur detyrimet financiare për koncesionet dhe PPP si dhe duke mos marrë parasysh se KLSH-Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përllogaritur afër 500 milionë $ detyrime të shtetit ndaj të tretëve, që nuk bëjnë pjesë në treguesit zyrtarë”, thuhet në komunikatë.

Konfindustria vlerëson, se të dhënat e “Doing Business” janë një marketing negativ, sidomos për sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja në vend. Mbyllja e projekteve të mëdha ndërkombëtare si TAP në transmetimin e gazit natyror nga Azerbajxhani në Itali dhe StateCrafti norvegjez në HEC-et e Devollit, praktikisht e kanë lënë Shqipërinë pa investime të huaja strategjike në vazhdim.