Komuniteti serbo-malazias në Shkodër edhe këtë vit festoi Krishtlindjen sipas kalendarit Julian. Si çdo 7 janar, mesha tradicionale u mbajt në kishën e fshatit Vrakë, aty ku jeton një pakicë e këtij komuniteti. Mesha në Kishën e “Shën Trinisë” u mbajt në gjuhën malazeze ndërsa u drejtua nga një klerik i ardhur nga Mali i Zi dhe një shqiptar. E veçanta e këtij viti ishte prania e besimtarëve të komunitetit mysliman.
“Kisha ka 2 mijë vjet që është e hapur për të gjithë njerëzit. Ne i falënderojmë të gjithë personat që na urojnë. Kisha është e hapur për të gjithë dhe i falënderojmë të gjithë ata që vijnë të na urojnë me raste festash”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Pakicave serbo-malazeze (Moraça-Rozafa) në Shkodër, Pavlo Jako.
Me kërkesa për të drejtën e gjuhës e shkollës serbe, kryetari i shoqatës “Moraça-Rozafa” Pavlo Jako, ngriti shqetësimin për moszbatimin e ligjit për minoritetet. Sipas tij, ligji i miratuar 4 vite më parë ka mbetur peng.
Ndërkohë, shpallja e 7 Janarit festë zyrtare ka qenë në vazhdimësi një tjetër kërkesë e shoqatës që përfaqëson këtë pakicë të vendosur kryesisht në veri të Shqipërisë. Ata pretendojnë se në Shqipëri jetojnë mbi 27 mijë serbo-malazias, por që pretendohet se nuk deklarohen pasi janë të frikësuar.
“Në Shqipëri, një nga vendet që siç e dini ka shumë festa kombëtare, derisa ka edhe festë ballokumesh, që nuk e di mirë shtrirjen dhe gjerësinë e saj, duke pasur parasysh që Krishtlindja është një festë e madhe në rruzullin tokësor, mendoj se edhe ne duhet të kemi të drejtë pasi jemi 27 mijë serbo-malazez ne Shqipëri”, ka thënë ai.