Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, drejtori i Qendrës së Dokumentimit për Romë dhe Ashkali, Bekim Syla, dhe koordinatorin e kësaj Qendre, Dritan Shaipi, gjatë një takimi sot kanë diskutuar për problemet dhe nevojat e romëve dhe të komunitetit në përgjithësi si dhe mundësitë për t’i kapërcyer ato, transmeton Koha.net.
Sipas njoftimit për media, një nga problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen ky komunitet janë papunësia, mungesa e kanalizimit dhe ndriçimi i rrugëve.
Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, theksoi se komuna po përpiqet që të jetë një servis sa më pranë qytetarëve dhe në këtë drejtim sa më afër me komuniteteve. Ai parashtroi disa nga nevojat e këtyre komuniteteve të cilat mund të realizohen përmes këtij projekti. Ndër të tjera përmendi krijimin e disa këndeve lojërash për fëmijë tek Liqeni Artificial si dhe rregullimin e gypave të kanalizimit, të cilët janë të vendosur, por nuk janë shumë profesionalë dhe po kanë probleme.
Komuna e Mitrovicës ka ndihmuar në realizimin e projekteve për ndërtimin e shtëpive sociale, asfaltimin e rrugëve, funksionimin e ambulantes si dhe në largimin e mbeturinave.