Agjencia për Informim dhe Privatësi ka inspektuar kamerat e vëzhgimit të cilat janë të vendosura nga komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Graçanicës, dhe ka konstatuar se në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, tri nga këto komuna kanë qasje në xhirimet e kamerave të sigurisë. Komunat janë të obliguara që qasjen në xhirime t’ia kalojnë Policisë
34 kamera të vëzhgimit nëpër hapësira publike i ka të vendosura Komuna e Prishtinës nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te sheshi “Adem Jashari”, porse qasja e Komunës në to është në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, ka konstatuar Agjencia për Informim dhe Privatësi me anë të vendimeve të marra muajin e kaluar.
Pas inspektimeve të kryera në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Graçanicës, Agjencia ka gjetur se vetëm në Gjilan përmbajtja nga kamerat është nën kontrollin e Policisë së Kosovës, siç kërkohet me ligj.
“Nëpërmjet inspektimeve të rregullta në bazë të planit të inspektimeve që e ka agjencia, kemi bërë inspektime në katër komuna, përfshirë Prishtinën, Gjilanin, Graçanicën dhe Gjakovën. Nga këto katër komuna, tri veçse kontrollohen nga komunat. Kjo gjë nuk është e lejuar dhe të gjitha këtyre u janë lëshuar vendime. Ato tashmë janë në proces të kalimit të kësaj aparature dhe këtyre video-vëzhgimeve në Policinë e Kosovës”, ka thënë Krenare Sogojeva, komisionere për informim dhe privatësi.
Në Komunën e Prishtinës kanë bërë të ditur se ka nisur procesi për evidentimin e shkeljeve ligjore të konstatuara nga Agjencia. Sipas përgjigjes dhënë për KOHËN nga kjo komunë, transferimi i pajisjeve do të bëhet brenda një viti.
“Me projektin e ri për vendosjen e kamerave të sigurisë në hapësira publike që planifikohet të realizohet këtë vit, jemi duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, ashtu që monitorimi të kalojë tek Policia”, thuhet në përgjigje.
Më shumë kamera sesa në kryeqytet janë të vendosura në Komunën e Gjakovës. Përfaqësues nga Komuna në Gjakovë kanë thënë të kenë reflektuar në raport me qasjen në filmimet e 99 kamerave që janë të vendosura në qytet.
“Menjëherë pas vendimit të AIP-së, ne në Komunë e kemi ndërprerë qasjen në pamjet e kamerave dhe i kemi larguar pajisjet-monitorët nga objekti i Komunës. Aktualisht kamerat vazhdojnë që të jenë në funksion, porse qasje në to kanë vetëm zyrtarët policorë në Stacionin Policor të Gjakovës, të cilët kanë pasur qasje edhe në të kaluarën, që prej instalimit të kamerave në qytet. Pra, për momentin, Komuna e Gjakovës i ka zbatuar në tërësi vendimin dhe urdhëresat që kanë dalë nga ky vendim i AIP-it”, është bërë e ditur në përgjigjen për KOHËN nga Komuna e Gjakovës.
Në Komunën e Graçanicës, ku janë të vendosura 27 kamera të sigurisë, kanë thënë se është nisur procesi i sigurimit të qasjes në to vetëm për policinë.
“Agjencia ka marrë një vendim, i cili do të zbatohet bashkërisht në 30 ditët e ardhshme nga Komuna e Graçanicës, Agjencia dhe Stacioni Policor i Graçanicës, kështu që vëzhgimi publik do të rregullohet sipas standardeve më të larta ligjore dhe evropiane. Komuna e Graçanicës ka 27 kamera në tërë territorin e Komunës së Graçanicës, për të cilat qytetarët dhe opinioni janë informuar përmes tabelave dygjuhëshe”, thuhet në përgjigjen nga Komuna e Graçanicës.
Krahas kërkesës për kalimin e përmbajtjes së kamerave te policia dhe asgjësimit të të dhënave që i kanë, Agjencia për Informim dhe Privatësi i ka dhënë Komunës së Prishtinës afat më të shkurtër për përmbylljen e procesit.
“Obligohet Komuna e Prishtinës që brenda afatit prej tridhjetë ditësh që nga pranimi i këtij vendimi, t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për zbatim të këtij vendimi dhe të njoftojë Agjencinë për Informim dhe Privatësi”, thuhet në pikën 3 të vendimit për Komunën e Prishtinës.
Në Polici kanë thënë se qasja në të dhënat e kamerave ndihmon në zbardhjen e krimeve që janë nën hetime.
“Është një metodë e mirë dhe e avancuar që i ndihmon organet e rendit dhe të drejtësisë në zbardhjen e rasteve të ndryshme. Ka raste kur kamerat kanë ndihmuar në zbardhjen e rasteve dhe në identifikimin e kryerësve të veprave të ndryshme penale”, është bërë e ditur në përgjigjen e Policisë.
Në bazë të Ligjit për Policinë, autoriteti i vetëm që mund ta ketë kontrollin mbi përmbajtjen e kamerave nëpër vende publike është policia.
“Policia është e autorizuar të bëjë vëzhgim parandalues të vendit publik, duke i përdorur pajisjet për incizime video-akustike dhe pajisje fotografike për t’i vëzhguar vendet publike, ku në të kaluarën shpesh janë kryer vepra penale apo ku ka arsye të bazuar të besohet se vëzhgimi publik do ta zvogëlonte rrezikun nga kryerja e veprave penale dhe do ta përmirësonte sigurinë publike në të ardhmen, në pajtim me Kodin e Procedurës Penale”, specifikohet në nenin 25 të ligjit.
Krahas kamerave të vendosura nëpër komuna, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka bërë inspektime edhe për pajisjet e vëzhgimit të cilat janë të vendosura nëpër objekte afariste dhe ato banesore.