Si çdo të enjte tjetër, Sylbie Sahiti, ka bërë rrugë nga fshati Babush i Lipjanit për të marrë pjesë në tregun mobil të Prishtinës, i cili mbahet në sheshin “Adem Jashari”.
Por, ajo u detyruara që disa nga produktet e saj vendore t’i ekspozojë në tokë dhe në rrezet e diellit, pasi tezgat e tregut u vonuan për disa orë, raporton KTV.
Fermerë të tjerë thonë se është e papranueshme që prodhimet vendore të shiten në tokë.
Ndonëse shitësit e thonë se në lokacionin e tregut erdhën rreth orës tetë të mëngjesit, tezgat mbërritën tek në orën 11:30.
Këto vonesa, sipas ndërmarrjes “Hortikultura” e cila bën bartjen e tezgave, janë shkaktuar si pasojë e dëmtimit të sistemit të ujitjes së hapësirës së gjelbër të sheshit dhe punimeve për rregullimin e tij.
Ndërsa, zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, ka thënë përmes telefonit se nuk kanë mundur t’i njoftojnë shitësit për vonesën pasi nuk e kanë ditur se mund të ketë ngecje teknike.
Tregu, ku marrin pjesë edhe fermerë nga rajoni i Prishtinës, vendoset tri herë në javë në tri lokacione.