Pronarë të kompanive private të transportit publik dhe qytetarët e Prishtinës kanë ngritur shqetësime për shtimin e taksive ilegale në kryeqytet, të cilat, sipas tyre, po i kontribuojnë kaosit në trafik dhe po dëmtojnë kompanitë e licencuara që kryejnë këto shërbime.
Brahim Deliu, nga kompania private e licencuar për transport publik, “Bleri Comerc”, ka thënë për “Kohën Ditore” se kohëve të fundit janë shtuar tej mase taksitë ilegale, që operojnë me automjete të ndryshme, prej veturave më të vogla e deri tek kombi-busët me më shumë ulëse, shkruan sot Koha Ditore.
Ai ka thënë se nëpër linjat që mbulojnë ata, aktualisht qarkullojnë 15 operatorë, 70 për qind e të cilëve janë ilegalë.
“Vetëm 4 deri në 6 operatorë jemi transportues të licencuar. Dhjetë të tjerë janë ilegalë. Tollovi e tmerrshme bëhet prej tyre çdo ditë, prej Bardhoshit deri tek rrethi i Spitalit (QKUK-ja)”, ka thënë Deliu.
Ai ka shtuar se prej kësaj pune mban familjen, paguaj për licencë dhe çdo obligim tjetër ligjor, por jo rrallëherë nuk arrin t’ i nxjerrë as shpenzimet mujore. Kurse, operatorët ilegalë nuk e paguajnë asnjërën nga to, përderisa fitojnë duke na ndërhyrë në linjat tona, ka thënë ai.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)