Arbëri

Komuna ndan mbeturinat e riciklueshme, kompania “Pastrimi” s’i mbledh ato

Ka rreth një muaj që në lagjen Dardania në kryeqytet mbeturinat e riciklueshme ndahen nga të tjerat, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Edhe qytetarët kanë filluar të bëjnë ndarjen, duke hedhur vetëm letër, plastikë e alumin në kontejnerët e verdhë.

Për informimin e banorëve të kësaj lagje, komuna është duke bashkëpunuar me organizatën joqeveritare Ekovizioni dhe GIZ-in gjerman.

Aktivistët e kësaj të fundit, që nga vendosja e kontejnerëve, janë duke punuar në terren, duke informuar qytetarët për ndarjen e mbeturinave.

Por, me gjithë ndarjen e mbeturinave, kontejnerët e verdhë me mbeturina të riciklueshme nuk grumbullohen nga kompania “Pastrimi”.

Kjo e fundit grumbullon vetëm mbeturinat tjera, nga kontejnerët e gjelbër.

Në Komunën e Prishtinës kanë konfirmuar se mbeturinat e riciklueshme mblidhen vetëm nga mbledhësit e shumtë informalë.

Habib Qorri, nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, përmes telefonit, ka thënë se këta të fundit janë sfidë jo vetëm për Komunën e Prishtinës, por edhe vendet e rajonit.

Sipas tij, mbledhësit informalë nuk hyjnë në sistem të rregullt të pagesave, por se komuna bashkë me GIZ-in gjerman dhe dy organizata tjera është duke punuar për integrimin e mbledhësve informalë.