Arbëri

Komuna e vlerëson efikase kushtëzimin e pagesës së faturave për mbeturina

Fillimisht u kundërshtua nga qytetarët.

Por, kushtëzimi nga komuna për regjistrimin e automjeteve me pagesën e faturave të mbeturinave, po del te jetë efikas, raporton “038” në KTV.

Nga janari deri në dhjetor të 2018-s, kur komuna ka nisur ta bëjë inkasimin, sipas zyrtarëve të saj, është arritur të inkasohet 40 për qind e borxhit të faturuar për shërbimin e mbeturinave.

"Ka goxha dallim prej para dy vjetësh kur inkasimi është bërë nga kompania 'Pastrimi' për shkak se ka pasur vështirësi në inkasim. Gjatë vitit të kaluar ne kemi pasur faturim diku 4 milionë euro, për gjithë qytetin e Prishtinës, kurse inkasimi ka qenë afër 1.6 milion euro, që i bie rreth 40 për qind të faturimit, gjë që është shenjë e mirë. Por, iu bëjmë thirrje qytetarëve t'i kryejnë këto borxhe sa më parë ashtu që të mund të marrin shërbime në Komunën e Prishtinës", ka thënë Adonis Tahiri, zëdhënës në Komunën e Prishtinës.

Janë një varg shërbimesh që qytetarët nuk mund t'i marrin në komunë nëse u bëhen tri fatura të papaguara të mbeturinave. Komuna thotë se këtë e ka bërë që të jenë më efikas në menaxhimin e mbeturinave dhe të kenë ambient më të pastër.

Ndërsa, në Kompaninë Rajonale "Pastrimi" vlerësojnë se kushtëzimi për pagimin e faturave ka pasur sukses.

"Komuna e Prishtinës na tarifon me komision. Faturën e 4 e 70ve neve na paguan vetëm 3 e 80. Pjesën tjetër e ndal në komision komuna. Për menaxhimin e mbeturinave për kompaninë tonë ka dhënë efekt shumë pozitiv, për arsye se ne nuk kemi mjete siç kanë KEK-u e KEDSI ose Ujësjellësi. Ne askënd nuk mund ta shkyqim asnjë qytetar është nuk i përgjegjshëm në pagesë. Të vetmen formë ne e kemi ose me na pagu komuna me marrëveshje ose me i dërgu në përmbarim kur te kalojnë një shumë të caktuar pas 50 eurove", ka thënë Burim Kelmendi, drejtor i kompanisë "Pastrimi".

Kusht tjetër për të bërë regjistrimin e veturës është edhe pagesa e tatimit në pronë. Vitin e kaluar, komuna ka mbledhur 6 milionë e 975 euro.

"Vazhdon të jetë kushti për regjistrim të automjeteve si një prej metodave më efikase për t'i marrë të hyrat nga tatimi në pronë, për shkak se kur nuk kanë qenë kushtëzime të tilla shumë pak prej qytetarëve e kanë kryer këtë obligim", ka thënë Tahiri.

Sa u përket mbeturinave, Komuna e Prishtinës bën faturimin për 54 mijë klientë të kryeqytetit, ndërsa për pjesën e bizneseve përgjegjëse është kompania "Pastrimi".