Arbëri

Komuna e Prizrenit s’arrin t’i arkëtojë 20 milionë euro borxhe

Foto: Koha / ilustrim

Borxhet e palëve të ndryshme ndaj Komunës së Prizrenit, sipas raportit të Komisionit për verifikimin dhe inkasimin e llogarive të arkëtueshme, paraqesin një barrë për pushtetin lokal, pasi që ato po shtohen prej vitit në vit, ndërkohë që kanë filluar të bëhen edhe të pamenaxhueshme me kapacitetet në staf dhe logjistikë. Gjetjet e këtij raporti theksojnë se mospërmbushja e detyrave nga ekzekutivi dhe stafi vartës ka bërë që llogaritë e arkëtueshme t’i afrohen shumës prej 20 milionë eurove.

“Rritja e shifrave të këtyre obligimeve po i afrohet 20 milionëshit, me një trend të vazhdueshëm të rritjes, si pasojë e moskryerjes së detyrës nga ekzekutivi-drejtorët dhe stafi vartës i drejtorive përkatëse”, shkruan në raportin për llogaritë e arkëtueshme, respektivisht verifikimin dhe arkëtimin e tyre. Komisioni për llogaritë e arkëtueshme është emëruar nga kryetari Haskuka me detyrën që për 6 muaj të hulumtohet dhe analizohet çështja e llogarive të arkëtueshme dhe gjetjet e rekomandimet të prezantohen para organeve komunale. Raporti parashihet që të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Kuvendit të Komunës.

Në këtë raport theksohet se objektiva kryesore është që viti 2019 të jetë vit i ndalimit të rritjes së llogarive të arkëtueshme, duke ndërmarrë veprime në bazë të legjislacionit në fuqi.

Ndërsa gjendja aktuale sa u përket borxheve të palëve ndaj Komunës përshkruhet si jo e favorshme, që vazhdimisht është potencuar edhe nga Auditori. Tutje shtohet se kjo gjendje është krijuar me mosrespektimin e procedurave ligjore nga të gjitha legjislaturat që kanë udhëhequr në Prizren prej vitit 2000 e deri më sot.

Në këtë rrafsh janë veçuar çështje si moszhvillim i procedurave të rregullta për shfrytëzim të pronës komunale, mosrespektimi i afateve kohore për kontratat e lidhura, pas skadimit të kontratave - shfrytëzuesit janë shndërruar në uzurpatorë pa asnjë dokument, tentimi i ndërrimit të titullarit - tjetërsimi i pronësisë në rrugë të ndryshme ligjore e joligjore, vazhdimi i shfrytëzimit me aneks-kontrata pa asnjë bazë ligjore, falja e borxheve me vendime të kryetarëve apo drejtorëve në periudha të ndryshme, neglizhenca dhe papërgjegjësia e stafit përkatës për menaxhimin e kontratave për vite të tëra pa e ndërmarr as edhe një veprim, mosndërprerja e kontratave për shfrytëzuesit e pa ndërgjegjshëm me obligime të papaguara, dhënie në shfrytëzim të familjarëve që paraprakisht kanë obligime të papaguara ndaj komunës, mosinicimi i proceduarave për arkëtimin e detyrueshëm (tek përmbaruesi apo gjykata), moskoordinimi ndërmjet drejtorive për mbështetje njëra-tjetrës sidomos e inspektoratit, mosraportimi i drejtë i drejtorëve tek kryetari dhe tek Kuvendi për gjendjen aktuale me obligime të paarkëtuara dhe rritjen e tyre, si dhe mosfunksionimi i mirë i zyrës ligjore dhe papërgjegjësia e personave të angazhuar në këtë zyrë me vite të tëra.

Sa u përket llogarive të paarkëtuara nga Drejtoria e Financave thuhet se shuma e tyre deri më 31 dhjetor 2018 është 14.6 milionë euro, ku kryesisht bëjnë pjesë borxhet në emër të tatimit në pronë, si dhe borxhet e paarkëtuara nga taksa komunale për ushtrimin e veprimtarisë afariste që arrijnë vlerën 6.8 milionë euro.

Në raport shkruan se me zyrtarët e Drejtorisë së Shërbimeve Publike janë zhvilluar disa takime për sqarimin e situatës “me disa lëndë shumë të komplikuara dhe të paqarta edhe për zyrtarët që kanë menaxhuar me ato lëndë, sidomos të tregjeve”. “Këto lëndë në fillim kanë qenë në Drejtorinë e Administratës dhe më vonë i janë bartur Drejtorisë së Shërbimeve Publike për menaxhim, dhe në disa raste mungon edhe dosja e këtyre lëndëve (kontratave dhe dëshmitë e pagesave)”, shkruan në raport, ku sqarohet se problemet nuk janë krijuar në vitin aktual, por se ato janë përcjellë me vite pa ndërmarrjen e veprimeve të duhura ndaj operatorëve të pandërgjegjshëm. “Pas një angazhimi plot tre muaj nga ana jonë dhe nga Zyra Ligjore disa lëndë pas vërejtjes së fundit janë dërguar tek përmbaruesi për vlerat e borxheve që janë brenda kontratave, jo për vlerat që janë shfrytëzuar pa kontratë e që shuma e tyre kap vlerën e mbi gjysmë milioni euro”.

Te sektori i mbeturinave është bërë e ditur se borxhet e paarkëtuara në fund të vitit 2018 kanë qenë 2.9 milionë euro me tendencë të rritjes për çdo vit. “Në këtë sektor ka punëtor që janë të stërngarkuar me punë (sportelistët) dhe ka nga ata që nuk e dinë cilat janë detyrat e tyre”.

Ndërsa te drejtoria e Urbanizmit që menaxhon kontratat për hapësirat publike më karakter të përkohshëm, siç janë: kiosqet, vendosja e tavolinave, tezgat etj. është theksuar se nuk ka shumë obligime të painkasuara.

Te Drejtoria e Administratës përkatësisht Sektori i Pronës është sqaruar se “menaxhohen disa nga pronat publike të Komunës së Prizrenit” dhe “jo të gjitha pronat që janë në shfrytëzim, vetëm ato prona (lokale) që vitet e fundit janë zhvilluar procedura të ankandit publik, lokalet që shfrytëzojnë OJQ-të dhe partitë politike”. “Gjatë verifikimit të obligimeve të papaguara të lokaleve në shfrytëzim nga bizneset, kemi kuptuar se një pjesë e kontratave të nënshkruara nga vitet paraprake nuk dihet se ku janë të arkivuara dhe kush menaxhon me ato kontrata”, shkruan në raport.

Ndërkaq te zyra ligjore dhe përfaqësimi ligjor i Komunës theksohet se kjo zyrë në vitin 2017 ka iniciuar 7 lëndë në Gjykatë ose tek Përmbaruesi, 2 lëndë në vitin 2018 dhe 64 lëndë në vitin 2019. Komisioni ka bërë të ditur se ka kërkuar nga çdo zyrtar që ka menaxhuar me kontrata për shfrytëzimin e pronës komunale e që kanë qenë problematike dhe me shuma të mëdha të borxheve që t’i dërgohet vërejtja e fundit palëve për pagesë të obligimeve, dhe në rastet që nuk ka pas reagim, lëndët janë dërguar tek zyra ligjore dhe janë proceduar për procedurë të inkasimit të detyrueshëm.

Komisioni ka ardhur në përfundim se problemi me llogaritë e arkëtueshme të Komunës së Prizrenit është një barrë që kërkon një vëmendje të veçantë nga ekzekutivi, duke filluar nga kryetari e deri tek zyrtarët që kanë në menaxhim kontratat me obligime të papaguara.

Në raportin e Komisionit janë paraqitur rekomandimet që duhet të zbatohen nga pushteti lokal. “Pas një pune tonë gjashtëmujore kemi këtë përfundim: nëse për një periudhë afatshkurtër merren këto veprime nga ekzekutivi dhe legjislativi në vitin 2019, në vitin 2020 në Komunën e Prizrenit do të kemi një situatë shumë më të mirë financiare duke i zvogëluar llogaritë e arkëtueshme, duke i rritur të Hyrat Vetjake, një raport më të mirë të Auditorit dhe një raport shumë më të mirë të performancës nga monitoruesit”.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në raportimin e fundit para qytetarëve pati bërë të ditur se shumë operatorë e individë nuk i kanë kryer obligimet që i kanë ndaj Komunës. Sipas tij, në periudhën gjashtëmujore të këtij viti, me qëllim të parandalimit të rritjes së llogarive të arkëtueshme, është krijuar një ekip, që i analizon këto borxhe. “Kemi filluar me ndërmarrë masa specifike për mënyrën se si me i ulë llogaritë e arkëtueshme. Së shpejti do ta publikojmë planin se si mendojmë që të ndikojmë në zvogëlimin e trendit të borxheve ndaj Komunës”, pati thënë Haskuka.

Në raportin e auditimit të publikuar në muajin qershor të këtij viti nga Zyra Kombëtare e Auditimit, shkruan se lista e debitorëve ndaj Komunës së Prizrenit sipas të dhënave në pasqyrat financiare vjetore është 18 milionë e 932 mijë euro. Pjesa më e madhe e tyre, sipas ZKA-së, kanë të bëjnë me llogaritë e arkëtueshme për tatimin në pronë, (8.089.000 euro), taksa në firmë (6.818.000 euro), mbeturinat (2.955.000 euro), tregjet (252.000 euro), lokalet (532.000 euro), etj.

Shefi i këshilltarëve të AAK-së në KK-në e Prizrenit, Ilir Baldedaj, pati theksuar se ky është një problem ekzistues në Komunën e Prizrenit, për të cilin qeverisja aktuale ende nuk ka prodhuar ndonjë zgjidhje të qëndrueshme, ani pse ishte zotuar për adresimin e tij, qysh në fillim të vitit të shkuar. “Komuna ka probleme sa i përket mbledhjes së borxheve që palët e ndryshme i kanë ndaj saj. Në këtë drejtim mund të ketë edhe politika të gabuara rreth mënyrës së ngarkesave. Por është fakt se qeveria komunale e Prizrenit qe një vit e gjysmë nuk ka gjetur zgjidhje për këtë problem e as për problemet e tjera të Komunës së Prizrenit dhe qytetarëve të saj”, pati thënë Baldedaj.