Është çerdhja e parë me bazë në komunitet në fshat. Kësisoj, qysh para se të funksionalizohet kopshti “Shtëpia Magjike” në Besi, ishte thënë se fëmijët këtu do të hanin ushqim bio, të përgatitur në kopsht.
Por, fëmijët e këtij kopshti po ushqehen njësoj si të gjitha çerdhet e tjera të Komunës së Prishtinës, nga kuzhina qendrore, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Prindërit thonë se aktualisht janë pajtuar për këtë, pasi sipas tyre, ka qenë më pak e kushtueshme.
Në anën tjetër, drejtuesit e çerdhes deklarojnë se menyja aktuale është e shëndetshme. Por, thonë se ndryshimi i menysë varet nga vullneti i prindërve.
Me 29 fëmijë aktualisht, kopshti “Shtëpia Magjike” është i hapur çdo ditë pune.
Por, në këtë kopsht ka fëmijë edhe të fshatrave përreth si Bardhosh, Vranidoll, Tenezhdoll e Barilevë.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se është duke planifikuar hapjen e një kopshti tjetër në fshatin Bardhosh.