Arbëri

Komuna e Prishtinës – qytetarëve për bllokimin e hyrjeve kryesore: Gjeni rrugë alternative

Foto ilustrim

Pas njoftimit për mbyllje të disa hyrjeve kryesore të Prishtinës të enjten për dy orë, në shenjë proteste ndaj liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se cilat nga zonat do të preken nga ky bllokim. 

Në njoftimin e lëshuar nga komuna thuhet se hyrja nga Veterniku dhe Gjilani, ajo nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica, si dhe hyrja nga Podujeva në “Kodrën e Trimave” do të preken në këtë interval kohor. 

“Protesta do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në ora 12:00, si shenjë kundërshtimi ndaj procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025. Zonat që do të preken nga bllokimi janë: Hyrja nga Veterniku dhe Gjilani, përfshirë rrugën pranë Albi Mall dhe pjesën poshtë Veternikut (akseset nga Ferizaj, Gjilan dhe Aeroporti). Hyrja nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica, konkretisht në rrethin e Madh te Lakrishtja (Dukagjini Toëer). Hyrja nga Podujeva, në lagjen Vranjevc – përfshirë zonën te ish-Humanisti dhe udhëkryqin pranë bankës Raiffeisen (bllokohet qasja në drejtim të Podujevës dhe nga Dragodani drejt Shkabaj/Orlloviqit)”, thuhet në njoftim. 

Më tej është bërë thirrje për qytetarët që të gjejnë rrugë alternative për lëvizje gjatë asaj kohe. 

Në një kërkesë për bizneset, Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se për dy orë do të ketë protestë paqësore, teksa ka paralajmëruar se ato do të vazhdojnë deri në plotësim të kërkesave të bizneseve që të shtyhet dalja në treg të lirë dhe që të niset dialogu për të gjetur zgjidhje të pranueshme që tranzicioni të ndikojë sa më pak në sektorin privat.

Automjetet e bizneseve pjesëmarrëse do të pozicionohen në rrugë, duke pamundësuar përkohësisht qarkullimin në këto segmente.