Arbëri

Komuna e Prishtinës e quan të ngathët procesin e vaksinimit

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka deklaruar se procesi i vaksinimit deri më tani ka qenë i ngathët dhe për t’u përshpejtuar ky proces, duhet të paktën të vaksinohen rreth 2 mijë qytetarë në ditë. Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës ka vënë në dispozicion afro 20 ekipe mjekësore që do asistojnë në Qendrën “1 Tetori” dhe do u dalin në ndihmë ekipeve qendore.

Sipas Gashit, me vaksinimin masiv, për tre muaj duhet të vaksinohen në kryeqytet rreth 200 mijë qytetarë, që pandemia e koronavirusit të mos përsëritet.

“Shumica e vaksinimit do të bëhet brenda këtij viti, procesi i vaksinimi do vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Kemi rreth 200 mijë vaksina COVAX, edhe kontrata e nënshkruar me Pfizerin. Në të ardhmen do të ketë edhe më shumë. Vaksinimi deri tani ka vazhduar pa u ndaluar, ka pasur ndryshim të të vaksinuarve në ditë të caktuar”, ka thënë ai në emisionin SOT.

Drejtori i Shëndetësisë ka potencuar se deri më tani në Prishtinë janë vaksinuar 23.416 persona dhe në këtë numër mund të ketë edhe të vaksinuar nga qytetet e tjera.

“Ka pasur ankesa që qytetarë që janë regjistruar 2-3 muaj më parë, dhe s’janë ftuar ende, ndërsa ka të ftuar më vonë dhe janë ftuar më herët. Është çështje filtrimi, çdo qytetar që ka aplikuar do të vaksinohet. Për vaksinimin në shtëpi, ekipet mobile do t’i vaksinojnë të gjithë atë të lidhur për shtrati me sëmundje kronike. Kjo besoj do të nis më së largu nesër”, ka shtuar tutje.