Të enjten në sallën “1 Tetori” në Prishtinë ka nisur vaksinimi kundër gripit sezonal.
Drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi, në emisionin “Sot” në KTV, ka thënë se Prishtina ka në dispozicion 14 mijë vaksina.
“Fati i mirë është se këtë vit vaksina vjen në kohë adekuate, të preferuar, fundi i tetorit, ku parashihet që vaksina kundër gripit sezonale të merret në atë kohë e jo më vonë. Vitin e kaluar kishim probleme, pasi erdhi në dhjetor e u desh të shpërndahej shpejt. Po ashtu kishte probleme më të mëdha edhe lidhur me pandeminë. Si kryeqytet kemi në dispozicion 14 mijë vaksina. Zakonisht vaksinohen 11.500 deri 12 mijë qytetar në Prishtinë çdo vit kundër gripit sezonal. Edhe kësaj radhe vaksina është 4 valente efikase ndaj 4 viruseve. Sot nuk po ka fluks të madh, dhjetëra qytetarë janë vaksinuar”, ka thënë Gashi nga qendra “1 Tetori”.
Ai ka treguar edhe arsyet pse vaksinimi po bëhet te “1 Tetori” e jo në QKMF si në vitet paraprake.
“Aspekti i sistemit të ri, e modulit të ri të imponuar nga niveli qendror, ka ndikuar. Të dhënat duhet të shkojnë në tri hapa apo tri sisteme, për një pacient nevojiten 10-15 minuta dhe pajisjet duhet mbikëqyrur nga IT-të. Çështje teknike të cilat e kishim të pamundur të realizonim brenda 24 orëve. Kërkesa ishte nga niveli qendror të fillonim me vaksinim sot. Në mënyrë që qytetarët të mos enden nga qendra në qendër kur dështon sistemi e vendosëm dje pasdite që të nisë vaksinimi në 1 Tetori, pasi sistemi është i shtrirë, kompjuterët e gatshëm, kabinat e gatshme dhe ka qenë më e lehtë për implementim”, ka thënë Gashi.
Edhe
Gashi: Dy javë pas vaksinimit kundër COVID-19 mund të merret vaksina kundër gripit
Ai ka treguar se vaksinimi do të bëhet çdo ditë nga ora 8 deri në ora 19:00. Gashi ka shtuar se vaksina e gripit sezonal duhet të merret së paku dy javë pas marrjes së vaksinës kundër COVID-19.
Ndërsa janë pesë kabina në dispozicion në sallën “1 Tetori”, ku vaksinohen qytetarët edhe për COVID-19.