Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se të martën ka nënshkruar kontratën që siguron vazhdimin e trajtimit të qenve endacakë.
Rama përmes një statusi në Facebook ka thënë se do të angazhohet edhe në shtimin e pikave ushqyese, nga 5 në 20 sosh.
“Qysh në ditët e para jemi marrë me trajtimin e problemit të qenve endacakë. Sot e nënshkrova kontratën që siguron vazhdimin e trajtimit të tyre, e që përfshin zënien, kontrollin, ushqimin, vaksinimin, identifikimin, sterilizimin, hospitalizimin dhe lëshimin. Momentalisht, ekzistojnë 5 pika ushqyese, të cilat së shpejti do të shtohen deri në 20”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se është i vetëdijshëm për nevojën e zgjidhjes afatgjate të problemit, dhe se po vazhdojnë të punojnë drejt saj.
Qentë endacakë po vazhdojnë të paraqesin probleme për një pjesë të qytetarëve të Prishtinës, në disa pika të qyteti ku grumbullohen më shumë.
Shumë qytetarë kanë raportuar se janë sulmuar dhe kafshuar nga qenë endacak dhe se kanë marrë edhe trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve.
