Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Mitrovicës ndalon përkohësisht punën e taksive

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se ka ndaluar përkohësisht punën e taksive që veprojnë në këtë komunë.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se kryetari Agim Bahtiri në një takim me pronarët e kompanive të taksive që operojnë në këtë qytet ka kërkuar që ta ndërprenë punën e tyre përkohësisht.

“Duke u bazuar në këshillat e mjekëve profesionistë dhe në rekomandimet e IKSHP-së, ku kërkohet që distanca në mes njerëzve të jetë së paku 1 metër, dhe nëse marrim parasysh hapësirën e automjeteve të taksive të cilat kanë 5 ulëse për pasagjerë, kjo rezulton me faktin se hapësira është shumë e ngushtë, andaj e shoh të arsyeshme që të pezulloni përkohësisht punën tuaj në mënyrë që të mos ketë rrezik në shëndetin e punëtorëve tuaj, dhe të qytetarëve të cilët e shfrytëzojnë këtë shërbim”, tha Bahtiri.

Vendimin për ndalimin e përkohshëm të punës së taksive, e përkrahën unanimisht të gjithë pronarët e kompanive të taksive, duke thënë se janë të gatshëm të jenë në dispozicion të kërkesave të kryetarit dhe për çdo rast ti ndalin në ndihmë pa asnjë çmim.

Gjithashtu Bahtiri ka kërkuar nga Policia e Kosovës që këtë vendim të zbatoj edhe në kufijtë administrativ të Komunës së Mitrovicës, dhe të mos lejoj asnjë taksi nga komunat tjera regjionale të veprojnë në qytetin tonë.

Artikuj të ngjashëm