Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria për Bujqësi dhe Blegtori, ka nënshkruar marrëveshje me dhjetë fermerë, për ndërtimin e stallave.
Ky është projekti i parë në bujqësi për vitin 2019, ku përfitues janë dhjetë fermerë blegtorë.
Në ceremoninë e nënshkrimit me fermerët ishin të pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Murat Hoxha, të cilët kanë thënë se bujqësia do të vazhdojë të mbetet prioritet edhe për vitin 2019.
“Ai që punon, e ndërton edhe shtetin dhe unë uroj që kjo përkrahje e jona të ju shpërblehet juve me të mirat që mund t’i keni nga puna e juaj dhe fermat e juaja. Kjo është një ndihmë jo shumë e madhe, por besoj që do të ju ndihmoj në punë, për të mirën e juaj dhe të familjeve tuaja, dhe uroj që këtë përkrahje për ndërtimin stallave ta shfrytëzoni në mënyrën më të mirë”, tha Begaj.
“Ky është projekti i parë për këtë vit dhe këta janë dhjetë fermerët përfitues. Ne jemi duke u munduar që brenda mundësive tona buxhetore t’i përkrahim fermerët në veçanti dhe bujqësinë në përgjithësi”, ka thënë drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Murat Hoxha.
Edhe fermerët janë shprehur të kënaqur dhe e kanë vlerësuar si një ndihmë të madhe për ta, pasi tani do të kenë kushte më të mira për femrat e tyre, kurse ndërtimi i stallave moderne iu jep mundësi që të rrisin edhe cilësinë e produkteve.