Për 24 orë, Komuna e Gjilanit do ta ketë një “kryetare të re” pasi ai aktual, Lutfi Haziri, i ka “dorëzuar” Festinë Destanit detyrën për nder të 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Pos saj, në pozitë udhëheqëse do të jenë edhe Shpëtim Syla nënkryetar, Anxhelina Ramadani nënkryetare për komunitetin serb, Mateja Stanojkoviq, shefe e kabinetit nga komuniteti serb dhe Bunela Sllamniku asistente nga ai turk.
“Kryetarja në detyrë, Festinë Destani dhe stafi i saj, pas pranimit të detyrave, gjatë ditës do të mbjellin fidane para objektit të Kuvendit Komunal, do ta vizitojnë Stacionin Policor, KFOR’in turk e Muzeun Etnografik”, thuhet në njoftimin e Komunës.