Komuna e Gjakovës ka ndarë rreth 100 mijë euro për blerjen e 10 mijë testeve serologjike për COVID-19. Drejtori i Shëndetësisë në komunë, Ferdinand Kolaj, thënë se javën e ardhshme këto teste mund të arrijnë.
Testimet do të kryhen sipas Kolajt, sapo të arrijnë dhe se do të bëhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
“Komuna e Gjakovës ka marrë vendim që të kemi teste serologjike që do të kryhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Jemi në procedurë, janë ndarë 100 mijë euro për këtë punë. Jemi në pritje, do të thotë është çështje ditësh kur do të fillohet edhe me implementimin e këtij projekti, domethënë në luftën ndaj COVID-it është edhe pjesa e testeve serologjike e cila do të na ndihmojë të shohim sa kemi infektimin e popullatës dhe do të kemi testet IGG dhe IGM që do të tregojnë nëse pacienti e ka, ose e ka kaluar virusin, dhe nëse është brenda, a ka krijuar antitrupa”, deklaroi Kolaj për KP.
Kolaj ka bërë të ditur edhe planet për të cilat po punojnë si komunë për të ndihmuar në parandalimin e koronavirusit.
Ai thotë se është menduar që qendra mjekësore “Emin Duraku” të kthehet në qendër vetëm për persona të infektuar por që nuk kanë nevojë për hospitalizim dhe të krijojnë ekip mobil për kontaktimin e personave të infektuar.
Kolaj shton se problemet e mëhershme me oksigjen në Spitalin e Gjakovës janë tejkaluar.