Mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, gjatë së martës do të marrin kompensimin ligjor.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në detyrë të Financave, ka konfirmuar për EO se ekzekutimi i pagesave për mësimdhënësit e viteve të 90-ta do të bëhet bashkë edhe me pensionet e tjera.
Ai ka sqaruar se ata do të paguhen në mënyrë retroaktive nga prilli.
“Ekzekutimi i pagesës për pagesat e arsimtarëve të viteve të ’90 do të bëhet sot, së bashku me pensionet tjera. Sot do të ekzekutohen nga ana e thesarit dhe ato do të ekzekutohen sipas raporteve apo listave të cilat janë sjellë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ne do t’i ekzekutojmë jo vetëm për muajin dhjetor mirëpo do të ekzekutohen në mënyrë retroaktive ashtu siç e parasheh ligji edhe që nga muaji prill”.
Rafuna tha se shuma mësimdhënësve iu ndahet në bazë të Ligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit. Kostoja e zbatimit të ligjit për vitin 2019 do të jetë 6.6 milionë euro dhe për vitin 2020 rreth 7.4 milionë euro. Ndërkaq numri i mësimdhënësve të cilat ishin të angazhuar në procesin arsimor gjatë viteve 1990-1999 llogaritet të jetë rreth 23 mijë.
Ndërkaq, lajm të mirë e ka quajtur edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj.
Edhe
GAP: Mbi 3,000 mësimdhënës hiqen nga granti i arsimit për vitin 2026
“Lajm fantastik për mijëra arsimtarë dhe mësues si dhe për familjet e tyre, që kanë punuar në sistemin arsimor të Kosovës gjatë viteve 1990-1999. Ata nga sot do të marrin kompensimin ligjor e material për punën e tyre heroike”, shkruan Haradinaj.
Haradinaj, kryeministër në detyrë, shkruan tutje se “Qeveria me të marrë detyrën është angazhuar fort, megjithë pengesat, që ky ligj të miratohet, si satisfaksion moral e material për heronjtë e asaj epoke, që e mbajtën të gjallë shpresën dhe shkollën shqipe duke i dhënë krah lirisë së Atdheut”.
“Ndonëse nuk qe e lehtë, ia dolëm dhe sot ndihem ballëhapur para mësuesve dhe arsimtarëve të vendit. Nuk mund të kishte urim më të bukur për festat e fundvitit se kjo! Faleminderit përjetësisht!”, shkruana i.