Arbëri

Kompania që ndërtoi hidrocentralet në Deçan s’i përmbush detyrimet për ndërtimin e një rezervuari uji

Një gropë në fshatin Rashiq ka mbetur shenjë e ndërtimit të katër hidrocentraleve në Komunën e Deçanit.

Kompania “Kelkos Energy”, e cila ka ndërtuar hidrocentralet, ka qenë e obliguar që në këtë hapësirë të ndërtojë një rezervuar uji për nevojat e banorëve në këtë zonë që njihet si “Zallë e Rupës”, por akoma nuk e ka bërë një gjë të tillë, raporton KOHA.

Ndërtimi i këtij rezervuari figuron si një nga detyrimet e kompanisë ndaj Komunës në një marrëveshje ndërmjet palëve të vitit 2012, lidhur me shfrytëzimin e pronës për ndërtim të hidrocentraleve, e të cilën e ka publikuar organizata joqeveritare “Pishtarët”.

Banorët thonë se nga kjo hapësirë janë bartur shumë kamionë me zhavorr për ndërtimin e hidrocentraleve. Ata ankohen se janë të rrezikuar nga kjo gropë e cila, sipas tyre, është hapur në pjesën ku gjithmonë e kanë përdorur si kullosë për bagëtitë.

77-vjeçari Hysen Gjocaj, banor, thotë se ka kërkuar nga kompania që të mos dëmtohet gjelbërimi.

Ndërkaq, Hazir Gjocaj, një tjetër banor i kësaj zone, kërkon që ky rezervuar të ndërtohet ose të paktën të rrethohet për të qenë më i sigurt.

Kurse Shpresa Loshaj nga organizata “Pishtarët” e quan gjendjen në këtë pjesë si krim ndaj natyrës, derisa thotë se nuk është realizuar pothuajse asnjë detyrim i kompanisë.

Për këtë çështje KOHA ka dërguar pyetje në adresë të kompanisë “Kelkos Energy”, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa nuk ka qenë në dispozicion as numri i telefonit i kësaj kompanie, i cili figuron në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.

I paqasshëm ka qenë edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.